“PS do të ketë 74-75 deputetë legjislaturën e ardhshme”
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në një komunikim për mediat nxiti opozitën që të kontribuojë me propozimet e saj në lidhje me ndryshimet kushtetuese. Ai u shpreh se palët në Këshillin Politik duhet të vazhdojnë punën që të gjendet “gjuha e përbashkët në përkthimin si duhet të ndryshimeve të miratuara në Kushtetutë në Kodin Zgjedhor”. Ai u shpreh se mazhoranca do të depozitojë ndryshimet e propozuara në Kuvend.
“Shpresoj që edhe nga ana e opozitës jo parlamentare të vazhdojmë diskutimin me ta dhe e nxis PD-në dhe LSI-në dhe partitë tjera jashtë parlamentare që të kontribuojnë me propozimet e tyre, por që më lejoni të them që drafti i propozuar prej nesh është një draft që i ka marrë 100% të gjitha sensibilitetet dhe propozimet e shprehura deri më tani nga të gjitha këndvështrimet politike”, tha Balla.
Ai tha se me propozimin e mazhorancës listat janë 100% të hapura dhe secili kandidat do të marrë një vlerësim me votë nga zgjedhësit.
“Ka mbaruar koha kur bënim Kode Zgjedhore me shpikje alla shqiptarçe ku të themi të drejtën është historia e koalicioneve deri më 30 Korrik mund të ndërtoje koalicione si vagonat e një treni mallrash, ku votat mund të transferoheshin në një subjekt tjetër brenda trenit me vagona”, shtoi Balla, sipas të cilit ndryshimet e propozuara prej socialistëve janë marrë nga modele të vendeve të ngjashme me Shqipërinë, si Kroacia, Belgjika, Holanda etj.
Ai u shpreh se për çështjet e karakterit teknik mund të vijojë diskutimi. Sa i përket pragut 3%, Balla u shpreh se duhet të vazhdojnë gjithashtu diskutimet, por kjo është e vetmja formulë që mbron barazinë gjinore në Kuvend.
“Kuvendi i pas 25 Prillit, nga 140 deputetë rreth 46 të paktën i bie të jenë gra. PS që është forca modernizuese e jetës politike në vend do të ketë në grupin e saj parlamentar të pas 25 Prillit nga 74-75 deputetë minimalisht, të paktën 1 e 3 do të jetë grua”, tha Balla.
Balla sqaroi se ky model është zgjedhur pasi çdo kandidat sipas tij duhet të përmbushë legjitimitetin demokratik. Ai shpjegoi pse nuk u zgjodh modeli demokratik
“Sepse edhe ligjvënësit e Austrisë, Çekisë, kanë analizuar prej vitesh dhe kanë konkluduar në këtë formë që nuk është e vërtetë që kandidati duhet të marrë më shumë vota se partia. Këtë formulë nuk e kemi shpikur ne, këtë formulë e kanë pjesa më e madhe e vendeve. Unë e kam shumë për zemër modelin apo Kosovën, por kemi menduar që përzgjedhja më e mirë apo modeli që duhet të ndjekim janë vendet që përmenda më lart, Austrisë, Danimarkës, Belgjikës dhe shumë vendeve të tjera. Padyshim që ka këndvështrime që mund të përzgjidhet edhe modeli i Kosovës, por nëse i vendosim në peshore argumentesh, argumenti që një kandidat duhet të zgjidhet deputet pa mbështetjen reale të partisë duhet të mbushë legjitimitetin demokratik për të pasur votat. Kjo nuk mund të jetë që të mblidhen 36 vetë në Tiranë dhe marrin 300 vota. Ai që merr 301 vota bëhet deputet. Ky nuk është legjitimitet. Legjitimiteti buron nga mbështetja dhe në këtë këndvështrim fakti që renditja e partive thyhet nga mbështetja që merr një kandidat është një hap shumë i madh. Edhe brenda renditjes së partisë, numri i votave nga kandidatët riformulon listën dhe kush ka marr më shumë vota dhe plotëson kuorimin e nevojshëm për një mandat dhe që të jesh deputet në Shqipëri variabli është nga 9000 në qarqe më të vogla deri në 12 mijë në qarkun e Tiranës.”, tha Balla.
Sa i përket opozitës parlamentare ai deklaroi se nuk beson se do të vetëpërjashtohet nga ky moment.
“Unë besoj që opozita jashtëparlamentare do të kontribuojë me propozime konkrete. Ndryshimet kushtetuese kanë ndodhur, listat janë hapur dhe zgjedhjet do të bëhen me listat e hapura sikurse është propozimi ynë konkret”, tha Balla. /tvklan.al