Transporti, infrastruktura dhe ndërlidhja mes vendeve ishte në fokus të takimit të ministrave europianë të Transportit në Budapest, ku pjesëmarrëse ishte edhe Zv/Kryeministrja Belinda Balluku.
Në fjalën e saj Balluku nënvizoi se u fol për financimin nga BE për projektet që kanë të bëjnë me hekurudhat.
Belinda Balluku, Zv/Kryeministre e Ministre e InfrastrukturËs: Konkurrenca që krijohet përmes ndërlidhjes së transportit dhe sidomos atij hekurudhor. Megjithatë u fol për çdo çështje që shqetëson vende të ndryshme të Bashkimit Europian, por sigurisht edhe vendet kandidate. Ndava me këtë tryezë të nivelit të lartë shqetësimet që ne kemi përsa i përket financimeve që vijnë nga Bashkimi Europian dhe kohës. Zëvendëskryeministri Salvini ka mbështetur gjithashtu këtë tezë që vendet e Bashkimit Europian duhet të kenë një fokus të veçantë në zhvillimin e zonës së Ballkanit Perëndimor, si një zonë qendrore e cila lidh disa nga shtetet e Bashkimit Europian, ashtu siç është rasti i Korridorit të VIII.
Sipas Ballukut në fokus të takimit ishin edhe projektet infrastrukturore që lidhin Shqipërinë me Kosovën dhe me Rajonin.
Belinda Balluku, Zv/Kryeministre e Ministre e Infrastrukturës: Me Ministrin e Kosovës, kemi arritur që të diskutojmë për ecurinë e një nga projekteve tona më të rëndësishme kombëtare, atë që do të lidhë Shkodrën me Gjakovën, hekurudhën e re, që do të bëhet më pas pjesë e Korridorit të X, duke i dhënë kështu Shqipërisë dy aksese, në Korridorin e VIII përmes Maqedonisë së Veriut dhe në Korridorin e X përmes Kosovës.
Në takimin në Hungari u fol edhe për çështje të tjera shumë të rëndësishme për Bashkimin Europian, siç është dekarbonizimi dhe energjia e pastër.
Klan News