Veliaj: Qytetarët do kompensohen sipas ligjit, spekulantët do të demaskohen
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka siguruar se të gjithë ata që kanë humbur shtëpitë nga tërmeti i Nëntorit 2019 apo preken nga procesi i rindërtimit i lagjeve të reja në zonën e “5 Majit” dhe në “Kombinat”, do të kompensohen sipas ligjit.
“Ligji thotë se banorët që kanë shtëpitë te “5 Maji” nuk duhet të dëmtohen. Pra, nuk mund të zgjidhim një hall, duke krijuar një tjetër. Kjo është arsyeja pse edhe banorët që banojnë në Kombinat dhe te “5 Maji”, ku do bëhen lagjet e reja, do trajtohen njësoj. Kush është pronar me letra, do të trajtohet me formulën e pronarit, pra do marrë shumë më shumë se ç’ kishte. Ndërkohë, dikush që është në proces legalizimi, pra e ka zaptuar atë tokë, që ka qenë në fakt tokë shtet, sepse gjithë Bregu i Lumit ka qenë tokë e Bashkisë, ndërmarrje e Bashkisë, do t’i marrin metrat katrorë siç i kanë pasur. Kontrata thotë: Sa metra ke? Ke 200 metra? Merr 200 metra banesë”.
Ai tha se kush nuk provon që është pronar i banesës ku banon nuk përfiton.
“Shtëpitë i përfitojnë vetëm ata që kanë lidhje me atë pronë. Kemi verifikuar se njerëzit që ulërasin më shumë në televizor janë o qiraxhinj, o rrinë tek kunata apo te baxhanaku. Por, ndërtesa bëhet për pronarin e shtëpisë; është si të thuash, ra tërmet në një hotel dhe meqë isha aty, në atë dhomë, të marr edhe unë një dhomë nga hoteli i ri kur të ndërtohet”.
Keto deklarata kryebashkiaku i bëri teksa vizitoi familjen e Ymes Ballës e cila humbi shtëpinë nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe falë procesit të rindërtimit tani janë akomoduar në banesën e re.
Veliaj u shpreh se ashtu si me shtëpitë individuale do veprohet edhe me banesat kolektive, ku në zonën e Krrabës janë planifikuar të ndërtohen 3 pallate të reja, ndërsa tha se po vijon intensivisht puna edhe në 2 lagjet e mëdha të rindërtimit në Tiranë.
Klan News