Një ditë pasi ushtria mori kontrollin e vendit dhe kryeministrja u largua jashtë vendit Presidenti i Bangladeshit shpërndau parlamentin, duke i hapur rrugën formimit të një qeverie të përkohshme.
Studentët kishin kërcënuar me më shumë demonstrata nëse parlamenti nuk shpërndahej. Vendimi është marrë pas takimeve me krerët e forcave të mbrojtjes, liderët e partive politike, drejtuesit e studentëve dhe disa përfaqësues të shoqërisë civile.
Në një deklaratë nga zyra e Presidentit Mohammed Shahabuddin sqarohet gjithashtu se Begum Khaleda Zia, ish-kryeministre është liruar nga arresti në shtëpi.
Largimi i Sheikh Hasinës të hënën i dha fund qëndrimit në pushtet për 20 nga 30 vitet e fundit. Disa prej studentëve protestues tani duan që udhëheqës të jetë fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Muhammad Yunus.
I njohur si “bankieri i të varfërve”, ai nxori miliona njerëz nga varfëria me bankën e tij, e cila u bë pioniere në mikrofinancë dhe modeli i huadhënies që atëherë ka frymëzuar projekte të ngjashme në mbarë botën, duke përfshirë vendet e zhvilluara si Shtetet e Bashkuara.
Yunus aktualisht ndodhet në Evropë dhe një nga ndihmësit e tij të ngushtë ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë ofertë nga ushtria për të udhëhequr qeverinë e përkohshme.
Klan News