Pas protestave disa ditore në lidhje me nivelin e lartë të dhunës seksuale ndaj grave, është marrë vendim pro dënimit me vdekje për përdhunuesit.
Ministri i Drejtësisë, Anisul Haq tha për BBC se Presidenti do të lëshojë një urdhëresë të martën duke e bërë vendimin me vdekje të ligjshëm.
Javën e kaluar në mediat sociale, u bënë virale pamjet e një gruaje dhe sulmit brutal ndaj saj. Kjo shkaktoi zemërim në Bangladesh dhe solli protesta të mëdha. Protestuesit të shtyrë nga videoja, kanë kërkuar gjykime më të shpejta dhe ndryshime në mënyrën e ndjekjes penale të rasteve të përdhunimit.
Një hetim nga Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut në Bangladesh zbuloi se gruaja në video ishte përdhunuar në mënyrë të përsëritur me kalimin e kohës dhe ishte terrorizuar. Pas shfaqjes së pamjeve, deri tani janë arrestuar 8 meshkuj. Edhe një rast tjetër përdhunimi ndodhi javën e kaluar në një hotel, duke çuar në arrestimin e disa anëtarëve të krahut studentor të partisë në pushtet.
Gjatë fundjavës Bangladeshi u trondit nga një nivel i paparë proteste me shumë demonstrues të cilët mbanin tabela që lexonin “Varni përdhunuesit” dhe “Jo mëshirë për përdhunuesit”.
Duke iu përgjigjur drejtpërdrejt protestave, qeveria vendosi të bëjë ndryshimin me anë të një urdhërese duke e bërë efektiv ligjin e dënimit me vdekje për përdhunuesit, pa pritur mbledhjen parlamentare.
Një grup aktivistësh tha se vetëm vitin e kaluar janë regjistruar rreth 5,400 raste përdhunimi, por nivelet e dënimit janë jashtëzakonisht të ulëta. Ata thanë se shumë raste nuk raportohen sepse gratë kanë frikë se do të stigmatizohen./tvklan.al