Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë të paktën 37 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve në vijim për mbrojtjen e popullatës nga ndryshimet klimatike. Ky është konstatimi i Bankës Botërore nëpërmjet një raporti, sipas së cilit Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë të prekura seriozisht nga risqe të tilla që po marrin jetë njerëzish.
“Gjatë dekadës së fundit, përmbytjet kanë prekur 2 milionë njerëz, zjarret janë shtuar me 21%, ndërsa thatësirat e zgjatura dhe valët e të nxehtit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjashtë vendet e rajonit duhet të ndërmarrin veprime urgjente!”
Banka vlerëson se humbjet e Shqipërisë janë më të mëdhatë në rajon. Gjithashtu me risk të lartë janë edhe Serbia e cila pritet të pësojë dëme të mëdha nga klima, e ndjekur nga Bosnjë dhe Hercegovina.
“Përmbytjet pritet të shkaktojnë dëmin më të madh i PBB-së në të gjitha vendet, duke filluar nga rreth 15% humbje në vitin 2050 PBB për Serbinë dhe rreth 3% të humbjes së PBB-së për Maqedoninë e Veriut nën trendin e rritjes. Ndikimi i thatësirës, i modeluar nëpërmjet ndikimit të saj në prodhimin e misrit dhe grurit, do të jetë më i vogël, duke qenë se këto kultura përbëjnë një pjesë të vogël të prodhimit bujqësor.”
Banka vlerëson se dëmet nga rreziqet klimatike mund të lehtësohen nëpërmjet investimeve të përshtatjes dhe ndërhyrjeve të hershme, ku sipas saj çdo dollar i shpenzuar do të sjellë 4 dollarë në përfitime të ardhshme.
Tv Klan