Pas raportimeve nga Eurostat se ekonomia e Eurozonës kishte mbetur në stanjacion në tremujorin e katërt të 2024, ka ardhur menjëherë edhe lëvizja e radhës nga Banka Qendrore Europiane. Ky institucion ka vendosur të ulë normën bazë të interesit në 2.75%, nga 3% që ishte.
Lëvizja e pritshme, e çon normën e depozitave të Bankës Qendrore Europiane në nivelin më të ulët që nga fillimi i vitit 2023.
Banka Qendrore Europiane ka ulur deri më tani 5 herë normat që nga vera e kaluar. Pritshmëritë e tregjeve financiare presin dy ose tre ulje të tjera përgjatë këtij viti.
Në Dhjetor, Banka Qendrore Europiane hoqi dorë nga angazhimi për të mbajtur normat e politikës mjaft kufizuese për aq kohë sa është e nevojshme për të ulur inflacionin në përputhje me objektivin e saj prej 2%. Në Eurozone inflacioni ka rënë nga 10.6% në 2022 në 2.4% në Dhjetor të vitit të shkuar.
Duke iu referuar lëvizjeve të Bankës Qendrore Europiane sa i përket normave të interesit, edhe Banka e Shqipërisë duke parë indikatorët ekonomike të vendit ka reflektuar uljet e kësaj norme.
Për herë të fundit në Nëntor të 2024, Banka e Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit nga 3% në 2.75%, lehtësim i ndërmarrë pas rënies më të shpejtë të inflacionit.
Klan News