Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar, gjatë tremujorit të katërt 2024, është 83.401 Lekë, duke u rritur me 11.2 %, krahasuar me tremujorin e katërt të 2023, që paga mesatare ishte 75 mijë Lekë.
Sipas të dhënave të INSTAT gjatë kësaj periudhe, aktivitetet ekonomike që ofrojnë paga mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit të cilat kanë një pagesë mesatare 163 mijë Lekë dhe Informacioni dhe Komunikacioni, ku paga mesatare arrin në 121 mijë Lekë.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt të 2024, paga mesatare mujore bruto për grup aktivitetin “Ndërtim”, ka rritjen më të madhe prej 14.9 %. Pavarësisht rritjes, sektori i ndërtimit ndjekur nga industria dhe bujqësia i kanë pagat më të ulëta se paga mesatare në nivel kombëtar.
Sektori shtetëror vijojnë të ketë epërsi në paga. Sipas të dhënave të INSTAT për periudhën Tetor-Dhjetor 2024, në sektorin shtetëror paga mesatare është 100 mijë Lekë, ose rreth 24% më e lartë sesa sektori privat që e ka pagën mesatare 76 mijë Lekë. Diferencimi midis dy sektorëve ka pësuar një zbutje të lehtë prej 4% në krahasim me tre mujorin e tretë të vitit 2024, ku diferenca mes sektorit publik dhe privat ishte 28%.
Klan News