Në prag të vizitës në Tiranë, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos është fokusuar tek reforma në drejtësi. Sipas Kos kjo reformë është një faktor vendimtar për një klimë biznesi të favorshme.
“Pse insistojmë kaq shumë për shtetin e së drejtës? Sepse është edhe një faktor vendimtar ekonomik. Investitorët duhet të kenë besim se kontratat do të respektohen, rregulloret do të mbeten të qëndrueshme dhe mosmarrëveshjet mund të zgjidhen në mënyrë të drejtë në gjykatë. Përpjekjet tona për t’i integruar kandidatët tanë dhe më shpejt në tregun unik mund të japin dividentë vetëm nëse investitorët dhe bizneset evropiane e dinë se do të gjejnë një klimë biznesi që është e parashikueshme dhe e sigurt”, tha Marta Kos.
Nga forumi i Bankës Evropiane të Investimeve Kos tha se fondi prej 6 miliardë Eurosh në kuadër të planit të rritjes ekonimike së shpejti do të kthehet në realitet.
“Për Ballkanin Perëndimor, ne kemi dhënë 6 miliardë Euro në grante dhe kredi për të nxitur reformat ekonomike dhe për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit, si dhe integrimin në tregun e vetëm të BE-së. Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor është platforma kryesore për zbatimin e Reformave dhe Planit te rritjes ekonomike. Ne shpresojmë në vijimin e bashkëpunimit me të mirë ekzistues me bankën tuaj”, tha Kos.
Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociata në Bashkimin Evropian, Marta Kos do të vizitojë Shqipërinë për të parën herë më 13-14 Mars. Kos do të komunikojë publikisht mbajtjen e konferencës së katërt ndërqeveritare me Shqipërinë në datë 18 Mars.
Katër nga gjashtë grupkapitujt janë hapur tashmë ndërsa në muajin Qershor Shqipëria pret që të hapë edhe dy të fundit. Duke nisur nga muaji Dhjetor i këtij viti nis procesi me mbylljen e kapitujve të parë.
Klan News