“Po na rrezikon jetën dhe po shkatërron ambientin”

Depozitimi i mbetjeve urbane në fshatin Vadardhë, pjesë e njësisë administrative të Sukthit, ka ngritur në protestë banorët e kësaj zone. Ata thonë se vendgrumbullimi po shfrytëzohet jo vetëm për mbetjet e Sukthit, por edhe ato të Durrësit, duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe duke kontaminuar kanalit vaditës që i shërben gjithë zonës në bujqësi dhe blegtori.

“Ata pretendojnë që duan me ardhur edhe Durrësit edhe të Sukthit, po këtu nuk ka vend as për Sukthin, jo më për Durrësin. Këtu duhet të vijnë specialistët të shohin dëmin e madh që kanë bërë”.

“Këtu po bëhet një katastrofë mjedisore. Po i heqin plehrat nga Durrësi dhe po na i bien neve këtu. Përderisa këtu nuk ka kapacitet ca do ndodhi, do digjen dhe do helmohen këta banorë”.

“Këtu ka qenë terr i zi qysh në Maminas e shku e dal te Gjiri i Lalëzit, tym dynjaja. Për të liruar vendin digjnin mbeturinat”.

Por kryetari i Njësisë Administrative të Sukthit, Rrapo Osmani siguron se në këtë vendgrumbullim do të depozitohen vetëm mbetjet urbane të Sukthit.

“Është një shqetësim real. Landfilli i Sukthit ka qenë një problem, sepse digjeshin mbetjet dhe ka pas shumë ndotje për zonën. Po bëhet rrethimi dhe do jetë me roje dhe portë që të lejohen vetëm mbetjet e Sukthit”.

Në një reagim, Bashkia e Durrësit thotë se është në bisedime me qeverinë shqiptare për një zgjidhje dhe se i ka kërkuar Ministrisë së Financave një fond të posaçëm që do të bëjë të mundur depozitimin e mbetjeve në vendpozitimin më të afërt me Durrësin.

Tv Klan