Protesta e opozitës para dyerve të Kuvendit ka zgjatur rreth 2 orë e 15 minuta. Në përfundim të saj, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka dhënë një prononcim për mediat ku ka thënë se aksioni opozitar “do të vazhdojë ashtu si të ju teket” deputetëve opozitarë. Gjatë fjalës së tij, Bardhi ka deklaruar se do të veprojnë në çdo godinë ku sipas tyre është fshehur krimi i organizuar.

Gazment Bardhi: Përjashtimi i 24 deputetëve të Shqipërisë me masën përkatëse nuk parashikohet në rrethanat që njeh rregullorja e Kuvendit. Edhe deputetët e dënuar, janë dënuar pa ligj, ky është regjim që nuk njeh ligj dhe kushtetutë. Kryetarja e Parlamentit hyn si mi në Parlament, mua nuk më duket jetë normale parlamentare.

Ligjet mjafton të mblidhen tek vila e bollshme e Edi Ramës në Surrel dhe mund t’i miratojnë. Problemi është që ka rënë Parlamenti, kemi një regjim ku deputetët e Opozitës nuk lejohen të ushtrojnë funksionin e tyre. Nuk bën asgjë më shumë Putini. Rama sjellë deputetët të përplasen si delet, ndërsa vetë fshihet në Surrel dhe shijon luksin e krijuar me paratë e vjedhura të qytetarëve të varfër.

Pyetje: A do të vazhdoni me të njëjtën skemë të bojkotit dhe në komisione?

Gazment Bardhi: Ne do të vazhdojmë, si është ajo shprehja, si të na teket. Pra, rast pas rasti do të veprojmë në raport me këtë godinë, me atë të Kryeministrisë dhe me çdo godinë që është fshehur krimi i organizuar dhe qëllohet ndaj atyre që sulmojnë dhe luftojnë krimin e organizuar.

Pyetje: A do të ketë marrëveshje me Edi Ramën, ashtu si ka pasur për komisionet parlamentare?

Gazment Bardhi: Nuk ka pasur asnjëherë marrëveshje me Ramën, kemi detyruar Ramën që të njohë ato të drejta dhe ato kushte që kishte vendosur opozita në kuadër të atij aksioni.


/tvklan.al