Seanca plenare e ditës së sotme ka nisur me debate mes palëve. Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi i ka kërkuar kryeparlamentares zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor për Koncensionet në Shëndetësi teksa e ka akuzuar që nuk e ka lejuar opozitën që të bëjë punën e saj. Bardhi kërkon shtyrjen e këtij komisioni me të paktën 3 javë.
Gazment Bardhi: Rishikoni atë vendim, të keni një qëndrim për të dënuar shantazhin në krye të detyrës që një kriminel në burg i ka bërë deputetëve dhe të lejoni funksionimin normal të Komisionit Hetimor.
Elisa Spiropali: Kërkesa që ka ardhur për shtyrjen e afatit të Komisionit Hetimor… Ndihem në faj që e kam çuar atë kërkesë nga ana e 7 deputetëve të opozitës në Konferencë të Kryetarëve. Për hir të debatit dhe të faktit që ka një rëndësi të posaçme hetimi, e kam paraqitur në Konferencën e Kryetarëve. Ai komision është shtyrë 2 herë që komisioni të dalë në disa konkluzione dhe jo të shpërdorojë detyrën. Në bazë të ligjit, duhet të kishte një vendim të ndërmjetëm të komsionit për t’u paraqitur në Konferencën e Kryetarëve.
Sa i takon asaj se kush është kriminel, e përcakton prokuroria dhe gjykata dhe përsa kohë që dikush vjen si dëshmitar tregon gatishmërinë për të dëshmuar, duhet t’i jepet mundësia që kjo të ndodhë. Jam e sigurt që Garda ka respektuar rregulloren, do të shihen me shumë vëmendje si pamjet dhe si fakti që dëshmitari ka qëndruar për orë të tëra. Sot jam bërë me dije për kërkesën tuaj.
Gazment Bardhi: Të kanë informuar gabim se nuk ka asnjë rregull në ligj që kërkohet vendim i ndërmjetëm nga komisioni për shtyrjen e afatit, është një rregull që e keni vendosur. Afati i veprimtarisë së komisionit, kompetencë e propozuesit dhe vendimmarja e Konferencës së Kryetarëve. E rëndësishme është që a e ka përfunduar komisioni punën e tij apo jo. Komisioni nuk e ka përfunduar planin hetimor të punës dhe nuk mund të ndërpritet veprimtaria. Ju nuk i keni dhënë kohë komisionit për të hartuar raportin. Ju e keni vrarë pa produkt komisionin hetimor. Nuk e keni lejuar opozitën që të bëjë punën e saj. Vendimmarrja juaj e djeshme në kundërshtim me të drejtën e opozitës për kontroll parlamentar.
Rimblidhni Konferencën e Kryetarëve dhe rizgjasni afatin e komisionit hetimor, të mbarojë planin e punës dhe të ketë mundësi që të paraqesë secila palë në seancë plenare, mos pengoni punën e këtij komisioni. Dëshmitari nuk e ka vullnetare ardhjen në komision, e ka për detyrim ligjor. Ajo që ka ndodhur, është që dëshminë Ilir Beqaj do ta japë sipas rregullave që cakton në paraburgim. Dëshmia e tij duhet të merret sipas rregullave të procedurës penale. Ndërhyni të lejoni veprimtarinë e komisionit hetimor, të lejoni zgjatjen me 3 javë të komisionit për të pasur mundësi që të respektojmë të gjithë bashkë kushtetutën.
/tvklan.al