Pronari i shtëpisë që e strehonte: Arma është e Gëzimit
Pronari i shtëpisë në Ferizaj ku u gjet i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare Gëzim Çela ka mohuar që të ketë pasur dijeni për kallashnikovin me 15 fishekë. Ai u ka thënë autoriteteve se armën e mbante Çela për çështje sigurie. Ndërkohë që ka mohuar të ketë lidhje me aktivitetin e paligjshëm të 55 vjeçarit.
Burime bëjnë me dije për Klan News se janë duke hetuar edhe rolin e shtetasit nga Kosova, nëse është i përfshirë në çështjet e trafikut të dogës me Çelën dhe cila është lidhja mes tyre. Të njëjtat burime sqarojnë se që nga operacioni i parë “Flakë në det” që u zhvillua në muajin Gusht të këtij vitit është dyshuar se 55 vjeçari fshihej në Kosovë për shkak të lidhjeve me personazhe të botës së krimit atje. Ai është arrestuar dhe ndërkohë kishte identitet të rremë me emrin Bekim Bajraktari.
Kanë qenë autoritetet tona të cilat kanë njoftur policinë e Kosovës për venddodhjen e Gëzim Çelës. Burime nga SPAK konfirmojnë se janë duke bërë gati dokumentat, që të ja dërgojnë drejtësisë së Kosovës për të bërë të mundur ekstradimin e Gëzim Çelës drejt vendit tonë.
Ish-oficeri i Forcave Speciale, i cilësuar si “baron i drogës” ishte në kërkim nga drejtësia jonë që nga viti 2014. 55 vjeçari është i dënuar nga drejtësia jonë me mbi 10 vite burg për trafik narkotikësh dhe trafik armësh. Ndërsa autoritetet italiane e kërkojnë 55 vjeçarin që nga viti 2006 po për trafik droge. Edhe nga drejtësia e vendit fqinj Çela rezulton i dënuar.
Në Gusht të këtij viti Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” për operacionin “Flakë në det” ku u tentua shkëmbimi i kanabisit me kokainë në ujërat ndërkombëtare mes Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi. Çela është i njohur si “bosi i trafikut të drogës” që vinte nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë e Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve perëndimore.
Klan News