Kievi ka rënë dakord me Washingtonin për një marrëveshje mineralesh me të cilën zyrtarët ukrainas shpresojnë se do të përmirësojë marrëdhëniet me administratën Trump dhe do të hapin rrugën për një angazhim afatgjatë sigurie të SHBA-së.

Zyrtarët ukrainas thonë se Kievi tani është gati të nënshkruajë marrëveshjen për zhvillimin e përbashkët të burimeve minerale, duke përfshirë naftën dhe gazin, pasi SHBA-ja hoqi kërkesat për të drejtën e 500 miliardë dollarëve të ardhura të mundshme nga shfrytëzimi i burimeve.

Megjithëse tekstit i mungojnë garancitë e qarta të sigurisë, zyrtarët argumentuan se kanë negociuar kushte shumë më të favorshme dhe e përshkruanin marrëveshjen si një mënyrë për të zgjeruar marrëdhëniet me SHBA-në për të mbështetur perspektivat e Ukrainës pas tre vjetësh luftë.

Kushtet shumë të vështira të draftit origjinal, të cilat Presidenti Donald Trump i paraqiti si një mjet që Ukraina t’i kthejë SHBA-së paratë e marra nëpërmjet ndihmës ushtarake dhe financiare, provokuan zemërim në Kiev dhe kryeqytete të tjera europiane.

Pasi Presidenti Volodymyr Zelenskyy hodhi poshtë marrëveshjen fillestare javën e kaluar, Trump e quajti atë një “diktator” dhe e fajësoi Ukrainën për fillimin e luftës.

Versioni përfundimtar i marrëveshjes, i datës 24 shkurt dhe i parë nga FT, krijon një fond në të cilin Ukraina do të kontribuojë 50% të të ardhurave nga “fitimet e ardhshme” nga shfrytëzimi i burimeve minerale, duke përfshirë naftën, gazin dhe logjistikën përkatëse. Fondi do të investojë në projekte në Ukrainë.

Pas tre vitesh gjatë të cilave SHBA ishte donatori kryesor i ndihmës ushtarake për Ukrainën, Trump e ka përmbysur politikën e Washingtonit duke hapur bisedime dypalëshe me Rusinë, pa asnjë aleat europian apo Ukrainën në tryezë.

Zyrtarët ukrainas thanë se marrëveshja i hap rrugën Zelenskyyt të udhëtojë javën e ardhshme në Washington për të nënshkruar në një ceremoni të posaçme me presidentin Trump. Qeveria e Zelenskyyt do të duhet gjithashtu të kërkojë miratimin nga parlamenti i Ukrainës, ku deputetët e opozitës kanë sinjalizuar se së paku do të kenë një debat të nxehtë përpara se të ratifikojnë një marrëveshje të tillë.

Karoline Leavitt, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, u tha gazetarëve të martën se “nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka rëndësi jetike”.

Klan News