Kreu i qeverisë u tha ndjekësve të tij në rrjetet sociale se SPAK-u ekziston falë vullnetit të fuqisë së Partisë Socialiste.
“SPAK-u është një institucion nga vullneti politik i Partisë Socialiste së Shqipërisë”, tha Kryeministri Rama.
Rama tha se nga SPAK janë larguar amerikanët.
“Amerika i kishte njerëzit e vet që asistonin SPAK-un, shkonin, hynin e dilnin në mëngjes e masdite tek Stacioni i Trenit. Nuk janë më, i ka tërhequr Amerika”, tha Kryeministri Rama.
Sipas tij Berisha po përdor SPAK si mjet të vetin ne luftën politike.
“Ju e dini që këneta është e përbetuar nëpërmjet gojës së bufit të vet që do të shkrijë SPAK-un. Nëse do të isha edhe unë i interesuar për këtë, i trembur, i shqetësuar siç përpiqen të më pikturojnë disa që janë pjesë e problemit dhe nuk kanë lidhje me zgjidhjen. Atëherë kjo do të ishte më e thjeshta fare, mjafton një fishkëllimë bufit dhe e di si vinte bufi apo jo. A e di si vinte ai buf bufi, me një fishkëllim. Me një fishkëllim se e sillte tmerri nga drejtësia, e sillte tmerri që ka nga SPAK-u, e sillte tmerri që ka me të kaluarën që nuk e blen dotë. Menjëherë vinte dhe nuk kishte më SPAK”, tha Kryeministri Rama.
Patronazhistët, sipas Ramës janë më të mobilizuar se asnjëherë tjetër për një fitore madhështore me 11 Maj.
“Patronazhistët janë më të mobilizuar si asnjëherë tjetër dhe janë shumë të vendosur që më 11 Maj t’i japin një kuptim emrit të tyre drithërues për të gjithë kundërshtarët”, tha Kryeministri Rama.
Pasdite Kryeministri u takua me anëtarët e Asambleve të Partisë Socialiste në Tiranë. Kryeministri foli për përpjekjet që ka bërë për të luftuar korrupsion ndaj sipas tij askush jashtë PS nuk mund t’ju kërkojë llogari sepse kjo është vetëm luftë e tyre me të gjitha kostot që po merr përsipër.
“Është më e tmerrshmja që ne ta pranojmë pa luftë, që të na kërkojnë ne hesap të tjerët, ne mund t’i kërkojmë hesap njëri-tjetrit, por askush jashtë kësaj partie nuk na kërkon dot hesap për luftën kundër korrupsionit, sepse çfarë po ndodh sot është lufta jonë”, tha Rama.
Gjithsesi argumenti i Ramës thotë se vërteta e faktuar është ecuria e procesit të negociatave. Nëse Shqipëria do të ishte e zhytur në krime e korrupsion si e pikturon opozita, ai siguron se nuk do të përparonte me negociatat e anëtarësimit. Rama theksoi se PS është e vetmja forcë që do të anëtarësojë vendin në BE e për këtë arsye socialistët duhet të trokasin në çdo derë për të kërkuar votat për një mandatë të katërt.
Klan News