“Ndarje e politikës nga krimi, ndalje e blerjes së votave me paratë e pista dhe ndëshkimi i krimeve elektorale”
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të zhvillojë një takim me aleatët opozitarë këtë të mërkurë. Pritet që në fokus të mbledhjes të jetë reforma zgjedhore.
Pak para nisjes së takimit, Basha pati një prononcim të shkurtër për mediat. Ai theksoi se është i hapur për të diskutuar sistemin që do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Megjithatë, ai u shpreh se do të dështojë nëse nuk ndahet politika nga krimi, nëse nuk ndalet blerja e votave me para të pista dhe nëse nuk ndëshkohen krimet elektorale.
“Në emër të PD dhe opozitës kam qenë dhe jam i hapur për të diskutuar me të gjithë qytetarët shqiptarë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente se cili sistem zgjedhor do të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nisur nga praktika e 7 viteve të fundit mund të themi me siguri të plotë se cilido sistem të zgjidhet do të dështojë nëse nuk garantojmë ndarjen e politikës nga krimi, ndaljen e blerjes së votave me paratë e pista dhe ndëshkimin e krimeve elektorale nga një drejtësi e pavarur. Nga kjo pikëpamje mund të them se alibia se fajin e ka sistemi fatkeqësisht mund të kthehet në një shtojcë të propagandë të Ramës sipas të cilit jemi të gjithë njësoj, fajin e kanë të gjithë përveç atij për kandidimin e personave me precedentë kriminal”, tha Basha.
Sipas kryedemokratit Basha, Shqipëria është në një krizë të thellë politike, ekonomike dhe ka percipituar në një krizë emigracioni.
“Axhenda e Edi Ramës është pushteti i tij personal. Axhenda ime është ekonomia, shpëtimi ekonomik i Shqipërisë, demokracia, mirëqenia dhe dinjiteti i çdo shqiptar”, tha Basha./tvklan.al