4.5 miliardë Euro janë shpenzimet që kanë bërë turistët në vendin tonë gjatë vitit 2024. Në bashkëbisedimin “Sy m’sy”, me qytetarët në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama thotë se shqiptarët që kanë bërë pushimet brenda vendit kanë shpenzuar 950 milionë Euro, ndërsa punësimi në sektorin e turizmit u rrit me 14.1 përqind.

“Në Shqipëri pesha e turizmit për vitin 2024 vlerësohet 26% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri në vitin 2024 vlerësohen 4.5 miliardë Dollarë, ose 4.5 miliardë Euro. Punësimi në sektorin e turizmit është rritur me 14.1%. 950 milionë Euro i harxhojnë shqiptarët, shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, ata që sipas disave këtu nuk kanë bukë të hanë.”, tha Edi Rama.

Diasporës i kërkon që të regjistrohen për zgjedhjet e 11 Majit dhe të votojnë PS, duke premtuar që në mandatin e katërt do të përfundojnë 60 investime të reja për furnizimin me ujë në 29 bashki të vendit.

“Janë 60 investime të reja që kanë nisur në 2024 dhe vazhdojnë edhe sot dhe shtrihen në 29 bashki”, tha Rama.

Për të lehtësuar diasporën në procesin e regjistrimit, Rama thekson vendimin e qeverisë duke lejuar që në zgjedhjet e 11 Majit të mund të votohet me dokumente identifikimi të skaduara.

“Të gjithë ata që kanë pashaporta dhe karta identiteti të cilave iu ka kaluar afati do të mund të votojnë”, tha Rama.

Shpreh nostalgji për Lulzim Bashën, për të cilin thotë se është një ëmbëlsirë.

“Me thënë të drejtën një ëmbëlsirë kemi pasë edhe se di si do bëjmë që të bëjmë që ta kemi prapë për Lul Bashën. Dhe me thënë të drejtën nga të gjitha ato që ka thonë, vetëm një tortë ka bo. Sa herë më kujtojnë ty kam një nostalgji, kam një përvëlim, nuk e di”, tha Edi Rama.

Qëndrim të ashpër dhe ironizues mban edhe për aksionet e opozitës së Sali Berishës.

“Një grusht njerëzisht që zënë rrugën dhe pastaj të tjerët duhet të presin që ata të shpërndahen. Ç’a është kjo, opozitë është kjo? S’ka lidhje me opozitën, s’ka lidhje me idetë, s’ka lidhje me programet, s’ka lidhje me të ardhmen, s’ka lidhje me alternativat”, u shpreh Edi Rama.

Sajesë të opozitës, i cilëson zërat se në vendin tonë do të vijnë palestinezë.

“Ka ardhur një zë kuakuakua nga këneta. Jo Visar jo, nuk është e vërtetë. Është e gjitha një sajesë që mori rrugës, siç e marrin rrugën me shpejtësi” tha Rama.

Pyetjes së një komentuesi nëse ka ndërment të lërë pushtetin, kryeministri Rama i përgjigjet duke thënë se do vijojë të qendrojë në krye të qeverisë, përsa kohë ka besimin e shqiptarëve.

“Jo nuk kam ndërmend ta lë për momentin, për sa kohë ata që ma kanë dhënë do më kërkojnë që ta vazhdoj. Nëse do më thonë faleminderit sepse deri këtu ishim, atëherë do ta lë këtë punë”, tha Rama.

Klan News