Teksa ambasadori amerikan Donald Lu kërkoi nga klasa politike që t’i jepet fund epokës kur prokurori mbron politikanë të korruptuar dhe kryeministri Edi Rama ripërsëriti ftesën ndaj kreut të demokratëve për të bashkëpunuar për emrin e ri që do të ngjitet në karrigen e lënë bosh nga Adriatik Llalla vjen reagimi i Lulzim Bashës. Përmes një deklarate për mediat Basha thotë se ka vetëm një rrugë për të finalizuar këtë proces e që sipas tij do të duhet të kalojë përmes kushtetutës dhe jo pazareve.
“Që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin duhet që ai vetë të mos jetë i korruptuar dhe i inkriminuar. Dhe ka vetëm një mënyrë si mund të garantohet kjo gjë: ai duhet t’i nënshtrohet procesit të Vettingut, siç e parashikon reforma në drejtësi e sanksionuar në Kushtetutë. Që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë produkt i politikës, ai nuk mund të përzgjidhet dhe emërohet nga Edi Rama dhe Sajmir Tahiri, por nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe tre të pestat e Kuvendit siç e kërkon Kushtetuta. Reforma në drejtësi është në Kushtetutë. Nuk ka reformë në drejtësi jashtë Kushtetutës. Drejtësia arrihet pikërisht përmes zbatimit të Kushtetutës dhe jo pazareve partiake”.
Shqetësimit të ambasadorit amerikan Lulzim Basha i kujton se hetimi i politikanëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin do të mundësohet vetëm pasi të jetë ngritur Këshilli i lartë i Prokurorisë, që do të çojë në krijimin e Spakut dhe Byrosë së hetimit.
Tv Klan