Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, e cila i zhvilloi punimet online.

Krahas luftës kundër korrupsionit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, renditi si prioritete të PD-së, edhe reformën zgjedhore dhe atë territoriale.

“Ne po fokusojmë të gjithë vëmendjen dhe energjinë tonë për të ecur përpara me reformat që do t’u mundësojnë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme e një administratë vendore pa konflikte politike. Reformat zgjedhore dhe territoriale, lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë prioritetet tona kryesore”, theksoi ndër te tjera kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Po ashtu Kosova, rajoni dhe situata e tensionuar mes Ukrainës dhe Rusisë, ishin pjesë e diskutimit të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, ne Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane.

Basha theksoi se Partia Demokratike mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së dhe SHBA-së për një zgjidhje diplomatike.

“Ne duhet të qëndrojmë krah për krah në aleancën tonë euroatlantike përballë kësaj sfide të rrezikshme jo vetëm për vetë Ukrainën, por edhe për Evropën e me gjerë”, theksoi Basha, ndwrsa shtoi se: “Lufta nuk duhet të jetë kurrë një opsion, ndaj mbetet detyrë e liderëve politikë të përdorin të gjitha mjetet diplomatike dhe të lënë mënjanë kërcënimet e luftës.”/tvklan.al