Një ditë pasi Kuvendi miratoi me 106 vota “pro” ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur poshtë akuzat se pas votës së demokratëve fshihet një marrvësheje me mazhorancën.
“Nuk ekziston absolutisht asnjë marrëveshje lidhur me Reformën Zgjedhore. Ndryshimet e votuara në Parlament në Kodin Zgjedhor nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me Reformën Zgjedhore të rekomanduar nga OSBE-ODHIR për zgjedhje të drejta dhe të ndershme në Shqipëri.”
Teksa bën përgjegjës Kryeministrin Rama për dështimin e Reformës Zgjedhore, Berisha thotë se vota e diasporës dhe shpërndarja e mandateve të deputetëve ishin detyrime që rridhnin nga vendimet e kushtetueses.
“Dy problemet e trajtuara nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe të votuara mbrëmë në Parlament nuk kanë asnjë lidhje me Reformën Zgjedhore të rekomanduar nga OSBE-ODHIR, por vetëm me zbatimin e 2 vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.”
Me ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor, çdo shtetas shqiptar që banon jashtë, qoftë rezident apo jo ka të drejtën e votës, me kushtin e vetëm që të ketë një adresë banimi. Sakaq, partitë politike do të dorëzojnë në KQZ dy lista, ku 1/3 e do jetë e mbyllur dhe nuk do t’i nënshtrohet votës preferenciale, ndërsa 2/3 do jetë e hapur. Ndërkohë 1 në 3 kandidatë fitues nga lista e hapur duhet të jetë grua.
Tv Klan