Pasditen e kësaj të Hëne u mbajt seanca plenare për hapjen e sesionit të ri parlamentar, i cili do të vijojë deri në muajn Mars për shkak të nisjes së fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 Majit. Para deputetëve kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali foli për objektivat e këtij sesioni si dhe për arritjet e deri tanishme të Kuvendit.
“Deputetët të jenë aktivë, produktivë dhe rigorozë në ndjekjen e axhendës parlamentare. Duhet të fuqizohet edhe rregullimi ligjor dhe procedurial të ndërveprimit me grupet e interesit dhe lobingu parlamentar sipas modelit të demokracive liberale. Kuvendi i Shqipërisë ka shumë nevojë për hapësirë dhe autonomi. Do të rendisja miratimin e ligjit për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit që përfshin edhe statusin e deputetit. Ka ardhur koha të ndërtojmë Kuvendin e Shqipërisë europiane.”
Pas kryeparlamentares, fjalën e mori kryetari i grupit parlamentar i PD, Gazment Bardhi i cili nuk i kurseu akuzat ndaj mazhorancës dhe presidentit Bajram Begaj.
“Nëse Presidenti i Republikës, zoti Begaj, do të kishte interes për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do të vinte këtu ta jepte këtë mesazh, përpara qytetarëve shqiptarë. Dhe ju në fakt zonja kryeparlamentare, në emër të shumicës në këtë Parlament, do duhet të kishit kërkuar ndjesë që në 12 vite nuk arritët të bënit kurrë një reformë kuptimplotë zgjedhore, për të adresuar shqetësimet reale të zgjedhjeve.”
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Niko Peleshi theksoi punën e bërë nga qeveria për integrimin e vendit në BE, ndërsa për opozitën thotë se ka patur një rol pengues në këtë proces.
“Sot Shqipëria jo rastësisht, por për meritë të arritjeve dhe seriozitetit në raport me aleatët tanë euro-atlantikë është vendi pritës i samiteve të BE dhe së shpejti të aleancës sonë NATO-s. Kjo Shqipëri është e papërfytyrueshme vetëm 10 vjet më parë. Ne si Kuvend kemi pjesën tonë të meritës në këtë sukses për Shqipërinë.”
Seanca e radhës do të mbahet ditën e Enjte, ku pritet që ligjëvënësit të votojnë për çuarjen e ose jo në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit Vullnet Sinaj.
Klan News