Deklarata pas protestës për shembjen e Teatrit Kombëtar
Shembja e teatrit ka vënë në dyshim edhe qëndrimin e opozitës për reformën zgjedhore. Pasi ndoqi protestën e radhës, Lulzim Basha u shpreh se reforma nuk është më përgjegjësi e demokratëve.
“PD dhe opozita kanë treguar vullnet për reformën zgjedhore sepse duam që shqiptarët t’i drejtohen kutive të votimit. Sot nuk është përgjegjësia jonë. Me atë që ndodhi më 17 Maj, PS dhe Edi Rama kanë hedhur në erë besimin në një proces. Opozita nuk mund të jetë fasadë”.
I pyetur nga gazetarët për një propozim të përfolur të ambasadës amerikane për reformën, Basha tha se i mbetej versionit për sistem mazhoritar me dy dhoma në Parlament.
“Nuk kam parë asnjë propozim amerikan për sistem zgjedhor. Ne jemi për lista të hapura dhe ndryshim sistemi dhe sistem dy dhomësh. Asgjë nuk do të ketë kuptim për sa kohë që kujdestarja e zgjedhjeve është hajduti i zgjedhjeve”.
Basha ka qenë i shoqëruar nga ish-deputetë të Partisë Demokratike në protestën e thirrur nga Aleanca për Teatrin.
Tv Klan