Përmbytja në zonat e Shkodrës ka shkaktuar dëme mjedisore, ndërsa rrezikohet edhe shpërthimi i ndonjë sëmundjeje tek banorët.
Kjo u deklarua gjatë një takimi për evidentimin e situatës dhe hartimin e planit të masave mes Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Shëndetësisë, ISHP, OBSH dhe përfaqësuesve te shoqërisë civile.
Saimir Hoxha: “Gropat septike, si dhe puset e ujit të pijshëm në këtë periudhë pothuajse janë bashkuar duke sjellë dhe rrezikun e sëmundjeve. Fondi pyjor dhe zonat e mbrojtura të liqenit te Shkodrës, lumit Buna dhe lagunave në Velipojë është prekur nga ndikimi negativ i përmbytjes. Kemi një shtim të ujërave të kripura në lagunat dhe në tokat përreth, e cila ka shkaktuar kripëzim të mëtejshëm të tyre. Janë rrëzuar dhe thyer dru në këtë zonë të përllogaritur deri tashmë me një 1 hektar. Është dëmtuar infrastruktura e zonës së mbrojtur, si rrugët, pikat e vrojtimit apo elementë të tjerë të infrastrukturës dhe ajo që vlen për t’u theksuar është në pikat e komunikimit të lagunave me detin janë mbushur me materiale inerte”.
Gazmend Bejtaj: “Është fakt dhe mbetet edhe për t’u verifikuar më pas ndotja e ujërave sipërfaqësore dhe pjesërisht të atyre nëntokësore. Sigurisht që është konstatuar, është fakt dhe rëndimi i disa ujësjellësve ku më shumë e ku më pak, kryesisht në fshatra. Si rezultat i këtyre faktorëve të gjithë këto zona konsiderohen si zona me një risk higjieno-sanitar të shtuar”.
Aktualisht specialistët e shëndetësisë dhe ato të mjedisit do të vazhdojnë të mbajnë nën kontroll situatën e ujit të pijshëm, i cili nuk duhet përdorur nga banorët./tvklan.al