Banka Botërore ka qënë e qartë në qëndrimin e saj mbi çështjen se a duhet të llogariten detyrimet buxhetore për paketën 1 miliard euro si borxh publik.
Maryam Salim, drejtore e zyrës së BB në Shqipëri:
“Qeveria duhet të shohë prioritet e ekonomisë kombëtare, se cilit projekt duhet t’i japë miratim. Këtu duhen parë disa faktorë: transaprenca, kontabilizimi, përfshirjet fiskale në këto modele, sepse në fund këto projekte do të paguhen nga taksat e qytetarëve, dhe kjo do të ndikojë në borxhin real”.
Hilda Shijaku, kryekonomiste te BB:
“Ne rekomandojmë që koncesionet të trajtohen në mënyrën e duhur, duke përfshirë standardet ndërkombëtare të raportimit financiar dhe kontabilizimin si borxh publik”.
Por përfaqësuesit e lartë të këtij institucioni nuk u përgjigjën kaq prerë mbi dy çështje të tjera që lidhen me paketën e PPP-ve. Të pyetur se a kanë bankat në Shqipëri kapacitete për të financuar 1 miliard euro dhe a ka rrezik që këtu të përfshihen para të pista, Banka Botëore përgjigjet se nuk është problem financimi, por analiza e projektit.
“Nuk është problem financimi, por transaparenca dhe analiza se si përfiton ekonomia. PPP paguhen nga taksapaguesit ose nga ata që marrin shërbimet”.
Përsa i përket paketës fiskale 2018, Banka Botërore nuk është dakord me përjashtimin nga taksat për sektorin e turizmit, pasi sipas saj, rrezikon të rrisë evazionin fiskal.
“Favoret me trajtimin e taksave nuk bëjnë që një sektor të prodhojë më shumë se potencialet që ka. Kjo mund të nxitë shumë biznese që ta klasifikohen nominalisht si të sektorit të turizmit dhe të nxitet evazioni”.
Ndryshimi i shpeshtë i kufijve fiskalë si në rastin e përfshirjes në skemën e TVSH-së për bizneset me xhiro deri në 2 milion lekë, krijon pasiguri për biznesin, sipas Bankës Botërore. Për vitin e ardhshëm, ky grup vlerëson se rritja ekonomike për Shqipërinë do të jetë 3.6%, nga 4.5 që vlerëson qeveria shqiptare. Banka pranoi se brenda llogaritjes së prodhimit kombëtar, përfshihet edhe ekonomia informale.
Tv Klan