Të mbahesh në burg për shkak vetëm të një letre anonime. Kështu po i ndodh ish-luftëtarit të UÇK-së Sadik Duraku, i cili ndodhet në burg në Serbi prej Prillit, kur u arrestua nga autoritetet serbe në kufirin me Hungarinë, të cilin nuk ishte hera e parë që e kalonte për të vizituar familjarët e tij në Kosovë.
BBC i ka kushtuar një shkrim të detajuar rastit të 54-vjeçarit shqiptar nga Kosova, i cili është pajisur prej 2002-it me shtetësinë britanike, pasi mori statusin e refugjatit në 1998-ën në Britaninë e Madhe.
Londra e konsideron të padrejtë ndalimin e tij nga autoritetet serbe, që e akuzojnë për krime lufte ndaj civilëve serbë gjatë luftës së Kosovës. Në mbështetje të tij është angazhuar edhe ministria e Jashtme britanike.
Arrestimi konsiderohet i padrejtë nga autoritetet britanike, pasi akuzat ndaj Durakut janë ngritur vetëm mbi bazën e një letre të një shtetasi serb që pretendohet se jeton në Gjermani me identitet të dyshimtë, vertetësia e të cilit vështirë të verifikohet, sipas BBC-së.
Duraku, i cili vuan edhe nga probleme shëndetësore, u arrestua më 17 Prill, në të njëjtën ditë kur autoritetet serbe vunë në pranga 1 mijë persona të tjerë në një fushatë arrestimesh.
Tv Klan