Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë së bashku finalet e Europianit Under 21 të vitit 2027. UEFA ia akordoi dy vendeve këtë event të madh kontinental si kandidatura për përmbushtje të gjitha kërkesat për një ngjarje të tillë.

16 kombëtare do të marrin pjesë në këto finale dhe 8 prej tyre do t’i zhvillojnë ndeshjet në Shqipëri, ndërsa 8 të tjera në Serbi. Automatikisht, ekipet Shpresa të të dy vendeve, kualifikohen për në fazën finale.

Ndeshja hapëse do të mbahet në stadiumin “Karadorde” të Novi Sadit, ndërsa finalja do të luhet në Tiranë. Ndeshjet që do të mbahen në Shqipëri do të zhvillohen në 4 stadiume: Arena Kombëtare në Tiranë, Elbasan Arena, Loro Boriçi dhe Arena Egnatia.

Grupe inspektimi të UEFA-s prej disa kohësh kanë vizituar Shqipërinë për të parë këto impiantë dhe për të rekomanduar përmirësimet e nevojshme për të pritur ndeshjet e finaleve të Europianit të 21-vjecarëve.

Veç të tjerash, është inspektuar infrastruktura rrugore, levizshmëria në trafik, strukturat akomoduese dhe siguria. Një ngjarje e tillë e vendos sërish vendin tonë në qendër të Europës sa i përket ngjarjeve futbollistike, por do të ndikojë edhe në imazhin e vendit si dhe në sektorin e turizmit, ashtu sikurse ndodhi pak vite më parë me finalen e Conference League Roma – Feyenoord, e cila u luajt në Tiranë.

Tv Klan