Partia Bashkimi Demokratik për Integrim do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoni me VMRO-DPMNE, e drejtuar nga Nikola Gruevski.
Marrëveshja është arritur mbrëmjen e së premtes dy liderëve të dy subjekteve Ali Ahmeti dhe Gruevskit. Ajo parashikon që BDI do të ketë pesë portofola në kabinet dhe postin e zv/kryeministrit përgjegjës për marrëveshjen e Ohrit.
Partia e Ali Ahmetit do të drejtojë Ministrinë e Shëndetësisë, të Arsimit, Ekonomisë, Punës Sociale dhe Mjedisit, ndërkohë që përfiton dhe postet e zv/Ministrit të Punëve të Brendshme, zv/Ministrit të Arsimit, zv/Ministrit të Financave, si dhe atë të nënkryetarit të kuvendit.
Edhe pse më parë gjasat ishin për një koalicion me bazë të gjerë ku do të përfshihet dhe Partia Demokratike Shqiptare mesa duket Gruevski dhe Menduh Thaçi nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për gjashtë kërkesat e marrëveshjes së Marsit që nxiti PDSH-në të dalë nga koalicioni qeverisës.
Qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e parakohshme, të zyrtarizohet me 12 Korrik. Sfidat kryesore të saj janë integrimi i vendit në strukturat euroatlantike dhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit.
Për të parën qeverisë Gruevski i duhet të gjejë një rrugëzgjidhje për çështjen e emrit me fqinjët grekë, por gjasat nuk janë aspak shpresëdhënëse kur Shkupin e ndajnë edhe katër ditë nga afati i fundit për marrjen e ftesës së NATO-s.
Nga Athina nuk ka asnjë sinjal pozitiv, ndërsa debatet mes fqinjëve renditen edhe për çështjen nëse ka apo jo minoritet maqedonas në Greqi.
Përsa i përket respektimit të marrëveshjes së Ohrit gjithçka duket se do të jetë në varësi të presionit të aleatit qeveritar dhe të gjithë komunitetit shqiptar në Maqedoni./tvklan.al