“Në këto orë vendimtare për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut, kur Gjykata Kushtetuese po shqyrton çështje që mund të ndryshojnë rrënjësisht strukturën e shtetit tonë multietnik, ne i drejtohemi ndërgjegjes së gjykatësve dhe ndërgjegjes së atyre që mund të jenë duke ndikuar mbi vendimet e tyre”.
Kjo thirrje vjen nga BDI-ja një ditë para se të mbahet seanca e Gjykatës Kushtetuese ku pritet të shqyrtohet ligji për gjuhët.
Integristët thonë se ky është një moment kritik jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë qytetarët e vendit që besojnë në vlera demokratike, në barazi dhe në bashkëjetesë.
“Sot, ne jemi sërish në një udhëkryq, ku e drejta jonë për përfaqësim, për barazi dhe për një vend të merituar në këtë shoqëri është vënë në pikëpyetje. Për këtë shkak, BDI i drejtohet gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese: Ky nuk është vetëm një vendim ligjor – është një vendim që do të përcaktojë nëse Maqedonia e Veriut mbetet një shtet ku të gjithë qytetarët e saj ndihen të barabartë dhe të respektuar. Mos e bëni gabimin historik që të thyeni atë që kemi ndërtuar së bashku, me shumë mund dhe përpjekje. Apelojmë gjithashtu tek qytetarët dhe institucionet ndërkombëtare që të monitorojnë me vëmendje këtë proces. Nuk mund të ketë demokraci funksionale pa respektimin e plotë të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre kushtetuese”, thuhet në reagimin e BDI-së./Klan Macedonia