Për shkak të situatës gjeopolitike BE po merr hapa konkretë për të forcuar mbrojtjen e kontinentit të vjetër. Presidentja e KE Ursula von Der Leyen tha se planet e reja të BE-së për të forcuar industrinë e mbrojtjes të Evropës dhe për të rritur aftësitë ushtarake mund të mobilizojnë afro 800 miliardë Euro.

“Ne po jetojmë një nga periudhat më të rrezikshme. Nuk kam nevojë të përshkruaj natyrën e rëndë të kërcënimeve me të cilat përballemi ose pasojat shkatërruese që do të duhet të durojmë nëse ato kërcënime do të ndodhin, sepse pyetja nuk është më nëse siguria e Evropës kërcënohet realisht, apo nëse Evropa duhet të mbajë më shumë përgjegjësinë e saj për sigurinë e saj. Pyetja e vërtetë para nesh është nëse Evropa është e përgatitur të veprojë me aq vendosmëri sa e dikton situata dhe nëse Evropa është e gatshme dhe e aftë të veprojë me shpejtësi dhe me ambicien që nevojitet”, tha Ursula von der Leyen.

Von der Leyen ka njoftuar planin që ajo e quan “Riarmatimi i Evropës”, të cilin ajo do ta paraqesë në takimin e udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian këtë javë.

Plani përfshin 5 pika të cilat konsistojnë në lirimin e hapësirës fiskale për shpenzimet e mbrojtjes në nivel kombëtar, e dyta ka të bëjë me një mekanizëm të ri për kreditë prej 150 miliardë Dollarësh për investime në sektorin e mbrojtjes. Pika tjetër ka të bëjë me përdorimin e buxhetit të BE-së për të kanalizuar burimet në fushën e investimeve të mbrojtjes dhe më pas me mobilizimin e kapitalit privat.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të zhvillojnë bisedime urgjente të enjten për të siguruar mbështetje ushtarake për Kievin dhe për të përgatitur një force paqësore për dislokim të mundshëm në Ukrainë.

Evropa është përballur me një trysni për të shpenzuar më shumë për sigurinë e saj pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës tre vjet më parë dhe nevoja për të vepruar është bërë urgjente, pasi evropianët, përfshirë Ukrainën, janë lënë mënjanë në bisedimet midis Uashingtonit dhe Moskës.

Klan News