Treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi një kthesë drejt rritjes me 0,9 pikë në muajin Shkurt, pas rënieve gjatë dy muajve të mëparshëm.
Referuar raportit më të fundit të Vrojtimit të Ndjesisë të Biznesit dhe të Konsumatorit të Bankës së Shqipërisë, niveli aktual qëndron rreth 7% mbi mesataren historike.
Rritja gjatë muajit Shkurt u përcaktua nga përmirësimi treguesve të besimit në sektorët e industrisë, tregtisë si dhe nga ndjesia e konsumatorit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Besimit të Industrisë u zgjerua me 1.1% në Shkurt, duke iu rikthyer rritjes së treguesit pas tkurrjeve të katër muajve të kaluar.
Niveli i tij qëndron rreth 4 pikë mbi mesataren historike dhe rritja e këtij treguesi u ndikua nga vlerësimet më pozitive të bizneseve për prodhimin industrial aktual si dhe pritjet më optimiste për porositë nga eksportet.
Nga ana tjetër, një tregues i cili lidhet edhe me sektorin e turizmit, Treguesi i Besimit në Tregti, u rrit me 3.2% në muajin Shkurt dhe aktualisht qëndron rreth 7,5 pikë mbi mesataren historike.
Në rritjen e këtij treguesi, sipas Bankës së Shqipërisë, ndikuan vlerësimet më pozitive të ecurisë aktuale të biznesit dhe pritjet për nivelin e punësimit në të ardhmen.
Performancë pozitive gjatë muajit të shkuar shënoi edhe Treguesi i Besimit Konsumator me rritje prej 2%.
Të vetmit tregues që shënuan rënie, sipas raportit më të fundit të Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit nga Banka e Shqipërisë, ishin sektori i ndërtimit dhe shërbimet.
Tv Klan