Mëngjesin e kësaj të mërkurë u nënshkrua Partneriteti i Sigurisë dhe Mbrojtjes mes Bashkimit Europian dhe Republikës së Shqipërisë.
Në ceremoninë që u zhvillua në Bruksel, pak përpara nisjes së samitit BE-Ballkani Perëndimor, mori pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas si dhe kryeministri Edi Rama.
“Marrëveshja tregon se do të bëjmë më shumë sëbashku dhe tregon angazhimin në sigurinë tonë të përbashkët”, tha përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kallas.
Ajo u shpreh se Shqipëria po bën progres të rëndësishëm edhe sa i përket procesit të anëtarësimit.
Ndërkohë kryeministri Rama u shpreh se kjo ditë është e rëndësishme dhe zgjimi sot vjen më këndshëm pasi dje u hap një tjetër grupkapitull për Shqipërinë. Ai falënderoi Kallas dhe tha se partneriteti i nënshkruar është një shenjë e lidhjes së pandashme mes Shqipërisë dhe BE.
“Kjo marrëveshje është e rëndësishme sepse është një shenjë tjetër se lidhja jonë është e pandashme dhe duhet të bëjmë më të mirë për ta bërë më të fortë”, tha Rama.
Partneriteti për Sigurinë dhe Mbrojtjen u nënshkrua nga ana e Shqipërisë nga ministrat Igli Hasani dhe Pirro Vengu, ndërsa nga ana e BE-së nga përfaqësuesja Kaja Kallas.
Hasani tha në rrjetet sociale se “Ky partneritet strategjik do të forcojë përpjekjet tona për të luftuar kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmin dhe do të rrisë më tej aftësitë tona të sigurisë dhe mbrojtjes, duke kontribuar për një Evropë më të sigurt dhe më të qëndrueshme”!/tvklan.al