Bashkimi Europian shpreh mbështetje për sistemin e drejtësisë shqiptare dhe institucionet e saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Deklarata u bë nga ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato i cili ndër të tjera tha se drejtësia duhet lënë të bëjë punën e saj.
“Mbështetja për sistemin e drejtësisë është e palëkundur, por mesazhi është i njëjtë dhe i përhershëm. Ne i japim përparësi të madhe Reformës në Drejtësi dhe duhet ta lëmë të bëjë punën e vet”, tha ai.
I pyetur lidhur me hetimet që po zhvillon SPAK ambasadori tha se nuk mund të komentonte çështje të veçanta.
“Ne nuk komentojnë për hetime, por ju e dini mbështetjen tonë për SPAK. Mbështes punën e këtij institucioni. Sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, janë pjesë e kapitujve themelorë të BE-së që do të hapen të parët dhe do të mbyllen të fundit. Kam besim të plotë te SPAK”, tha Gonzato.
Deklaratat e ambasadorit të BE në Tiranë u bënë në çeljen e Javës Europiane e cila do të shoqërohet me aktivitete të cilat do zhvillohen në të gjithë vendin.
Tv Klan