Bashkimi Evropian monitoron nga afër se çfarë po ndodh në Shqipëri dhe vendet kandidate për anëtarësim, deklaroi në Davos komisionerja e re për Zgjerimin, Marta Kos.

Deklarata vjen disa ditë para ardhjes së saj në Tiranë ku do të takojë jo vetëm Kryeministrin Rama, por edhe krerët e opozitës.

Kur Shqipëria dhe Mali i Zi deklarojnë se duan t’i përfundojnë negociatat brenda tre a katër vitesh, sigurisht që ne i mbështesim në këtë objektiv dhe do t’i nxisim të kenë sukses në atë rrugë, por ata duhet të japin rezultate konkrete dhe kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi”.

Sipas Kos, zgjerimi i Bashkimit Evropian është një proces i bazuar në merita, jo një kornizë kohore. 

“Bashkimi Evropian po monitoron nga afër se çfarë po ndodh në vendet kandidate për anëtarësim. Ndonjëherë dëgjoj se vendet e Ballkanit Perëndimor po presin kaq gjatë për t’u anëtarësuar në BE. Ky proces nuk ka të bëjë me sa kohë presin shtetet kandidate. Është çështje e vullnetit të tyre politik dhe sa janë në gjendje të përmbushin reformat e kërkuara”.

Ajo theksoi rëndësinë e sundimit të ligjit për vendet që duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Ne kemi disa vende brenda Bashkimit Evropian që nuk respektojnë sundimin e ligjit dhe ne kemi parë disi një frikë në shumë vende anëtare se kjo mund të dëmtojë Bashkimin Evropian në kuptimin që ne nuk duhet të lejojmë asnjë vend që nuk është realisht 100 për qind gati për të hyrë, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë ligjor”.

Siç tha Kos, situata ekonomike dhe gjeopolitike në botë ka ndryshuar që kur Kroacia u anëtarësua në Bashkimin Evropian në vitin 2013, dhe tani shumë më tepër theks i kushtohet vlerave dhe shtetit të së drejtës, gjë që reflektohet edhe në metodologjinë e re për kandidatët nga viti 2020.

Në këtë kontekst, komisionerja Kos konkludoi se nga pikëpamja e zgjerimit, viti 2025 me presidencat polake e daneze mund të jetë më i suksesshmi në historinë e Bashkimit Evropian.

Klan News