Subjekti më i madh opozitar në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, ka prezantuar si kandidat për kryeministër, Bedri Hamzën. Hamza aktualisht është kryetar i komunës së Mitrovicës së Jugut.
Gjatë një konference për media, udhëheqësi i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt, për shkak të, siç tha ai, keqqeverisjes nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por edhe shqetësimeve të sigurisë dhe “mbi të gjitha ekonomisë së rënduar dhe stagnuar”.
“Kosova ka nevojë për një model të dëshmuar të qeverisjes. Për një qeverisje që kryen punë, që e mban fjalën dhe që u shërben të gjithë qytetarëve pa dallim”, tha ai.
Teksa prezantoi kandidatin partisë së tij për kryeministër, Krasniqi tha se Kosovës i duhet të ketë në ballë një personalitet me përvojë institucionale.
“Kjo detyrë kërkon në ballë një shërbyes civil të dëshmuar, me përvojë dhe të përkushtuar për të kthyer Kosovën në binarët e zhvillimit, një udhëheqës që kurrë nuk është lëkundur në besnikërinë dhe angazhimin e tij për shtetin tonë. Një lider që u ofron qytetarëve parashikueshmëri dhe siguri. Kosova e ka një personalitet të tillë”, tha Krasniqi duke iu referuar Bedri Hamzës.
Hamza, ndërkaq, tha se vendi ka nevojë për përshpejtim të rritjes ekonomike.
“Kosova si një vend me potencial ka nevojë për një rritje më të përshpejtuar ekonomike. Si një njeri me përvojë të gjatë institucionale, në funksione të ndryshme publike, dhe duke e njohur nga afër Kosovën e para dhe pas luftës, sektorin privat dhe atë publik, në komunë, në ministri, në BQK, dhe në Kuvendin e Kosovës, kam një pasqyrë të qartë të të kaluarës, të tashmes dhe një vizion për të ardhmen e vendit tonë. Jam i vendosur të kontribuoj në avancimin e zhvillimit të Kosovës në të gjitha fushat”, tha ai.
Hamza në të kaluarën ka qenë ministër i Financave dhe Ekonomisë, deputet në legjislaturat paraprake të Kuvendit të Kosovës si dhe guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.
Së fundi partitë opozitare kanë shpeshtuar thirrjet që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Opozita po kërkon mbajtjen e zgjedhjeve, për shkak të, siç ka thënë, dështimeve të vazhdueshme të qeverisë, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në politikën e jashtme.
Mandati katërvjeçar i qeverisë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti përfundon marsin e ardhshëm./REL