Pritjes i erdhi fundi. Trajneri i kombëtares shqiptare, Sylvinho shuajti dilemat e mëdha, për të zbuluar edhe listën provizore të përfaqësueses kuqezi në prag të Kampionatit Europian 2024. Në listën prej 27 futbollistësh të shumtë janë emrat që kanë befasuar jo pak.
Katër portierë, 9 mbrojtës, 8 mesfushorë dhe 6 sulmues do të jenë pjesë e fazës përgatitore dhe ato që do të luajnë në dy miqësoret e muajit qershor, ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit, ku duket se vetëm një prej tyre do të jetë i sakrifikuari. Mungesa e madhe është padyshim ajo e Sokol Cikalleshit. 33-vjeçari nuk ka bindur stafin kuqezi për ta ftuar në turneun e kësaj vere, edhe pse ishte një pjesë stabël në kualifikueset ku shënoi edhe një gol e një asist.
Edhe në nivel ekipor, Cikalleshi ka qenë fenomenal, me 12 golat e tij që nuk kanë fituar biletën për në Gjermani. Kalimi në Superligën turke ka penalizuar Arbnor Mujën, një tjetër emër që ka mbetur jashtë listës provizore.
Të njëjtin fat e kanë edhe Keidi Bare, por edhe Muçolli për arsyeje dëmtimi ashtu siç edhe Myrto Uzuni, që mbetet larg Euro2024 për shkak të dëmtimit në thembër. Për herë të parë me ngjyrat kuqezi e kombëtares A ka shansin për t’u veshur Medon Berisha, me mesfushorin e Leçe që ka bindur me ato pak minuta në fushën e lojës.
Për herë të dytë në Kampionatin Europian kanë mundësi për t’u përfaqësuar Etrit Berisha, Armir Abrashi dhe Elseid Hysaj. Test për të parë gjendjen fizike për Jasir Asanin, por edhe Armando Brojën që nuk kanë qenë alternativa për skuadrat respektive, duke humbur disi nga shkëlqimi që pritej.
Duke përjashtuar ndonjë befasi, kjo pritet të jetë edhe lista shumëemërore e asaj që Sylvinho do të dorëzojë në zyrat e UEFA-s mbrëmjen e 7 qershorit si lista finale e Kampionatit Europian.
Klan News