Shqiptarët do tu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 140 deputetet e rinj të dielën e 11 Majit.

Kjo datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare është dekretuar nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj pas konsultimeve disa ditore me partitë politike.

Shkaku themelor për caktimin e datës 11 Maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve sipas Presidencës qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion që të bëhet i mundur votimi i suksesshëm i shqiptarëve nga jashtë vendit.

Ndërkaq Presidenca i ka dhënë përgjigje edhe shqetësimit të ngritur publikisht nga Partia Demokratike e cila bojkotoi konsultimet me Begajn për ndikimin elektoral që do të kishte në zgjedhjet parlamentare mbajtja e samitit të komunitetit politik evropian me 8-9 Maj të vitit 2025. Në argumentimin e tij Presidenti Begaj i bashkohet qëndrimit të opozitës, se zhvillimi nga ana e qeverisë i një takimi të kësaj natyre në finalen e fushatës zgjedhore, me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të lidershipit politik evropian, nuk mund të jetë pa ndikim në caktimin e datës së zgjedhjeve.

Për këtë arsye, kreu i shtetit ka bërë të gjitha verifikimet e nevojshme me autoritetet kompetente të Shqipërisë, ka marrë zyrtarisht sigurimet, se aktiviteti i mësipërm do të zhvillohet pas zgjedhjeve parlamentare, fakt ky që është konfirmuar edhe nga interlokutorët ndërkombëtarë.

Ky konfirmimi zyrtar për shtyrjen e këtij samiti sipas Presidences heq rezervën e shprehur nga Partia Demokratike dhe nga pjesa tjetër e partive parlamentare ndaj datës 11 Maj 2025 dhe e bën këtë datë për Begajn si të pranueshme dhe të pëlqyeshme për të gjithë faktorin politik.

Klan News