Ashtu siç kishin paralajmëruar, demokratët refuzuan të bëheshin pjesë e konsultimeve me kreun e shtetit për datën e zgjedhjeve, duke e cilësuar farsë dhe të paracaktuar atë nga socialistët. Në zyrën e Presidentit Begaj u ngjitën vetëm përfaqësuesit e mazhorancës, Niko Peleshi dhe Blendi Klosi.

Pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste tha se kishin propozuar 11 Majin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Blendi Klosi: Për të përgatitur sa më shumë këtë proces dhe për t’i lënë më shumë kohë emigrantëve që duan të marrin pjesë në zgjedhje kemi kërkuar datën 11 Maj,  data më e skajshme e mundur nga hapësira që të jep Kodi Zgjedhor të jetë data e zgjedhjeve.

Në të njëjtën linjë me socialistët ishte edhe kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi, I cili tha se për përgatitjen e votës së disporës dhe votimit elektronik nevojitej më shumë kohë.

Ilirjan Celibashi: Ne rekomanduam tek Presidenti i Republikës që të jetë data 11, edhe pse kjo kërkesë mund të jetë e përputhur me kërkesën e dikujt tjetër, por nuk ka lidhje.

Në mbyllje të konsultave me partitë politike reagoi edhe kreu i shtetit, i cili tha se caktimi i datës së zgjedhjeve nuk është thjesht një detyrim kushtetues dhe as procedurë formale juridike, por një sprovë e fuqishme bashkëpunimi dhe angazhimi i të gjithë faktorit politik dhe institucional në emër të zgjedhësve.

Bajram Begaj: Detyra madhore e aktorëve politikë është t’i shndërrojnë zgjedhjet parlamentare të pranverës së vitit 2025 në histori suksesi për shqiptarët dhe demokracinë shqiptare, ku duhet të shkëlqejë zbatimi i ligjit, korrektesa dhe etika në komunikimin e platformave, respekti për zgjedhësit dhe vullnetin e tyre të shprehur me votë.

Javën e kaluar, kreu i shtetit u takua edhe me partitë e vogla parlamentare, të cilët kërkuan nga Presidenti Begaj të dekretojë 4 Majin si datë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Tv Klan