Deklarata e socialistëve një ditë më parë për të mos balancuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shërben vetëm në interes të tyre për të mos pasur proces zgjedhor të rregullt në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, shprehet njëri nga anëtarët demokratë në komisionin për reformën zgjedhore Fatos Beja. Megjithatë, sapo të fillojë mbledhja e parë e komisionit për reformën zgjedhore, opozita do të këmbëngulë që të balancohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mënyrë që të sigurohet vota e lirë. Veç kësaj, në një vend demokratik, sipas Bejës, përdoren mjete të tjera demokratike për të kërkuar të drejtën.

Fatos Beja: “Është një dëshmi e qartë e këmbënguljes së Partisë Socialiste për të mos pasur një arbitër të paanshëm për zgjedhjet një këmbëngulje për të ruajtur zgjedhje jo të besueshme, një këmbëngulje për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme. Ne do të këmbëngulim në komision, ne do të bashkëpunojmë me komunitetin ndërkombëtar, ne do të vazhdojmë presionet ndaj qeverisë me të gjitha mjetet demokratike në mënyrë që vendi ynë të bëhet si gjithë vendet e tjera të Evropës, me një qeveri që të ndryshojë në përputhje me votën e popullit, në përputhje me vullnetin e popullit.”

Sipas Bejës, është shumë vonë për të vënë në pikëpyetje rekomandimet e ODIHR-it pasi procesi zgjedhor pret një punë të vrullshme me listat, adresat e zonat elektorale. Nëse këto nuk funksionojnë mirë, shprehet Beja, përgjegjësia mbetet e socialistëve. /tvklan.al