Sulmet ajrore izraelite goditën periferitë jugore të kryeqytetit libanez, Bejrut, më 16 nëntor, pak pasi ushtria izraelite lëshoi një urdhër të ri për evakuim nga zona.

Që nga e marta, më 12 nëntor, Izraeli ka kryer disa sulme ajrore në periferitë jugore të Bejrutit, që janë bastion i Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.

Agjencia AFP raporton se mëngjesin e së dielës janë parë shtëllunga tymi duke dalë nga ndërtesat në këtë zonë.

Pak para se të kryente sulmin, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, publikoi në X një thirrje për banorët e Haret Hreikut, periferi e Bejrutit, që të evakuoheshin.

“Ju gjendeni pranë ndërtesave dhe interesave që u përkasin Hezbollahut, kundër të cilit ushtria izraelite do të veprojë me forcë shumë shpejt”, shkroi ai në gjuhën arabe, duke identifikuar ndërtesa specifike dhe duke u thënë banorëve që të largohen nga to të paktën 500 metra.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA) tha se “armiku” kreu tri sulme ajrore, përfshirë një afër Haret Hreikut.

“Sulmi i parë ajror ishte pranë Haret Hreikut që shkatërroi ndërtesa dhe shkaktoi dëm në zonë”, tha kjo agjenci.

Sulmet e vazhdueshme ajrore të Izraelit në jug të Bejrutit kanë çuar në eksod masiv të civilëve nga kjo zonë, edhe pse disa prej tyre kthehen gjatë ditës për të kontrolluar shtëpitë dhe bizneset e tyre.

Në jug të Libanit, Izraeli ka kryer disa sulme ajrore mbrëmjen e së premtes dhe mëngjesin e së shtunës, raportoi NNA.

Gjatë natës, Hezbollahu pretendoi se ka kryer dy sulme me raketa që tha se kishin për shënjestër selinë e një batalioni të këmbësorisë në veri të Izraelit.

Hezbollahu është grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun ushtarak, por jo edhe grupin politik të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Që nga 23 shtatori, Izraeli ka intensifikuar fushatën e tij ajrore në Liban dhe më pas ka dërguar trupa tokësore, pasi për pothuajse një vit ai ka këmbyer zjarr me Hezbollahun në kufi, pasi nisi lufta në Rripin e Gazës.

Autoritetet libaneze kanë thënë se më shumë se 3.440 persona janë vrarë që nga tetori i vitit të kaluar, kur Izraeli dhe Hezbollahu nisën të këmbenin zjarr./REL