Athina kërkon që kryebashkiaku i zgjedhur të betohet, kusht për çeljen e kapitujve
Çështja Beleri u ngrit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asociimit në Bruksel. Kreu i Komitetit Parlamentar me Shqipërinë, Malonis Kefalojanis, theksoi se mos lejimi i betimit për Fredi Belerin, do të pengojë dhe në vijim çeljen e kapitujve me Shqipërinë.
Në lidhje me këto qëndrime reagoi ministri i Jashtëm, Igli Hasani i cili theksoi se Beleri po gjykohet nga drejtësia e pavarur shqiptare ndërsa qeveria Rama do të ruajë distancën duke mos ndërhyrë në këtë çështje.
“Rasti i zotit Beleri është çështje e organeve të reja të drejtësisë shqiptare dhe do të vijojë të trajtohet në këtë mënyrë përfshirë faktin që ne po e diskutojmë atë edhe me kolegët grekë. Kjo çështje nuk është europiane, do të vijojë të mos jetë europiane. Ne synojmë që të jemi së bashku me Greqinë shtet anëtare e BE. Ka mbaruar koha e qeverive që ndërhyjnë politikisht në vendimet e gjykatave.”
Ministri Hasani theksoi se takimi nuk është për çështje personale të dikujt dhe koha kur gjykatat trajtohen si përkatësi partiake ka mbaruar. Ai shprehu bindjen se Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e reformave, përfshirë atë në drejtësi.
Klan News