Që në fjalimin e parë të prezantimit të LIBRA-s, Ben Blushi tha se më të rëndësishme ishin idetë dhe se kjo nuk do të ishte partia e tij. Këtë të shtunë ai njoftoi largimin nga partia të cilën e themeloi vetë.
“Ka ardhur koha që këtë premtim ta mbaj duke u tërhequr nga drejtimi i LIBRA-s, partisë që krijova me shpresën se Shqipëria do fitonte një instrument lirie që nuk e kishte njohur”.
Në njoftimin e tij të largimit në rrjetet sociale, Blushi thotë se pavarësisht rritjes së fortë që kjo forcë pati në pak muaj, nuk arriti të përfaqësohej në parlament. Sipas tij në një garë të pandershme ku votat e saj u grabitën ajo arriti të renditej e pesta. Në largim Blushi bën edhe një konstatim.
“Nuk kam sot asnjë drojë të them se LIBRA me provoi diçka për të cilën dyshoja. Shqiptarët nuk e duan opozitën. Ata i besojnë më shumë të djeshmes se të nesërmes.”
Zhgënjimi i Blushin nuk ndalet këtu pasi njofton edhe ndërprerjen e angazhimit të tij në politikë.
“Prandaj kam vendosur ta heq përkohësisht politikën nga artet e mia. Politika, siç njihet dhe ushtrohet sot në Shqipëri, nuk më jep me shije dhe as motiv dhe unë nuk bëj gjëra të cilat nuk i besoj. E dua shumë LIBRA për ta dëmtuar me këtë mungesë besimi, prandaj kam vendosur të tërhiqem nga drejtimi i saj”.
Pas 15 muajsh në krye të LIBRA-s Blushi sheh si zhgënjim mosarritjen e përfaqësimit në parlament ku ai shpesh u përfshi në debate të forta.
Pas largimit nga partia socialiste ku qëndroi për më shumë se 20 vjet, por edhe largimit nga LIBRA, Blushi duket se ndjek një parim të pranuar pak ditë para zgjedhjeve.
Tv Klan
—-
Nga Ben Blushi
Kur ftova shumë njerëz t’i bashkoheshin idesë së Libras kam premtuar se Libra nuk do ishte kurrë partia ime.
Ka ardhur koha që këtë premtim ta mbaj duke u tërhequr nga drejtimi i Libras, partisë që krijova me shpresën se Shqipëria do fitonte një instrument lirie që nuk e kishte njohur.
Sot më vjen mirë të kujtoj, se si dhe sa shpejt u kthye Libra në një mjet të jashtëzakonshëm njerëzish të zakonshëm.
Ditën e parë isha një, kur e vendosëm ishim 10, kur e themeluam ishim 100, kur e shpallëm 1500, kur e rregjistruam si parti 3000, kur votuam se brendshmi 4000, kur shkuam në zgjedhje 8 mijë dhe kur dolëm nga zgjedhjet 20 mijë. E gjitha kjo ndodhi vetëm në shtatë muaj, nga Nëntori 2016 deri në Qershor 2017.
Shpejtësia ishte aq e madhe saqë rruga herë pas here nuk dukej, çka i bëri disa të ndalojnë dhe disa të shkojnë deri në fund të hutuar dhe të lodhur.
Si në çdo aventurë edhe ne paguam çmimin e njohur të së panjohurës.
Megjithë pasionin njerëzor që investoi, Libra nuk arriti dot të bindte shumë shqiptarë të ndaheshin nga dyqani, nga dhuna nga shëmtia, ligësia dhe kotësia e partive të vjetra.
Në një garë të pandershme zgjedhore pasi u masakrua dhe u grabit në mënyrë të organizuar Libra u rendit partia e pestë në Shqipëri, por padyshim e para, si partia më e varfër, më e drejtë dhe më e denjë.
Libra ishte në opozitë me të gjitha partitë dhe në zgjedhje ishte opozita e vetme e Qeverisë dhe e Opozitës.
Libra është partia e vetme në Shqipëri, që nuk ka bërë asnjë dëm, nuk ka bërë asnjë krim, nuk ka futur asnjeri në punë, nuk ka hequr askënd nga puna dhe nuk i ka marrë kujt asnjë cent.
Mijëra shqiptarë që e ngritën dhe e votuan duhet të jenë sot krenarë se krijuan diçka që, nëse nuk u dha dot gjë, të paktën nuk u mori asnjë gjë.
Libra ishte dhe mbeti e lirë nga çdo borxh.
Mua personalisht Libra më ndihmoi t’i njihja më mirë shqiptarët dhe pa dyshim dhe vetën time.
Nuk kam sot asnjë drojë të them se Libra më provoi diçka për të cilën dyshoja. Shqiptarët nuk e duan opozitën. Ata i besojnë më shumë të djeshmes së të nesërmes. E vjetra i qetëson, e reja i shqetëson. Atë që ishte e çmojnë, atë që vjen e nënçmojnë. Unë e kuptoj këtë zakon, pavarësisht se nuk e mirëkuptoj.
Shqiptarët duan të jenë gjithnjë më të fortët dhe jo më të drejtët, duke menduar se çka është e fortë është edhe e drejtë dhe çka është e drejtë është gjithnjë e dobët.
Zgjedhjet e fundit ishin një zhgënjim për mua kur pashë se si shumë qytete votuan banditët dhe grabitësit duke u krenuar me zgjedhjen e tyre.
Nuk më ka habitur kurrë aftësia e vendit tonë për të prodhuar njerëz të ligj, por nevoja për t’i mbrojtur ata me vota më shqetëson.
E keqja që mbrohet nga populli me vota kthehet në mënyrë jetese dhe bëhet edhe më e keqe duke u kthyer në norme.
Prandaj kam vendosur ta heq përkohësisht politikën nga artet e mia. Politika, siç njihet dhe ushtrohet sot në Shqipëri, nuk më jep më shije dhe as motiv dhe unë nuk bëj gjera të cilat nuk i besoj.
E dua shumë Libra për ta dëmtuar me këtë mungese besimi, prandaj kam vendosur të terhiqem nga drejtimi i saj.
Duke falenderuar të gjithë ata miq brenda dhe jashtë Libra, që më mbështeten, jam i bindur se ka burra dhe gra, të cilët me pasion dhe me besim do hapin rrugët që deri tani duken të mbyllura./tvklan.al