Këto pamje dëshmojnë atë që konsiderohet si protesta më e madhe e këtij çerekshekulli në Serbi, që pas atyre që rrëzuan regjimin e Sllobodan Millosheviçit.

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në protestën që nisi në orën 16.00 në qendër të Beogradit, ku kërkohet dorëheqja e presidentit Aleksandër Vuçiç.

“Do doja të shihja ndryshim, një ndryshim të regjimit, por kjo është e vështirë. Po protestojmë për një shtet normal, ligjor, pa korrupsion, mashtrime, presion ndaj medias e persekutime”, tha një protestuese Aleksa Cvetanoviç

Manifestuesit mbërritën nga e gjithë Serbia dhe u grumbulluan fillimisht në pikat hyrëse të qytetit, për t’u bashkuar më pas në tubimet para ndërtesave të presidencës, parlamentit dhe qeverisë.

Autoritetet llogaritën deri në 80 mijë pjesëmarrës, ndërsa organizatorët thanë se ishin edhe më shumë. Protestës së kësaj të shtune i parapriu një tjetër tubim masiv gjatë natës.

Manifestimi është pjesë e protestave që organizohen nga studentët dhe mbështeten nga opozita që prej Nëntorit të kaluar, kur nga shembja e një pjese të stacionit të sapo rindërtuar të trenit në Novi Sad u vranë 15 persona.

Protestuesit akuzojnë presidentin Vuçiç si të përfshirë në afera korruptive me ndërtuesit e stacionit. Vuçiç nuk pranon të dorëhiqet, por ka shprehur angazhimin për të çuar para drejtësisë përgjegjësit e tragjedisë. Ai po ashtu i ka akuzuar protestuesit që shpesh kanë qenë të dhunshëm se janë vënë më shërbim të interesave të huaja që kërkojnë destabilizimin e Serbisë.

Tv Klan