Klasa politike shqiptare përshëndeti njëzëri deklaratën e bërë nga Kreu i Asamblesë Parlamentare të OSBE-s Joao Soares, ku i bëhet thirrje deputetëve socialistë të zënë vendet e tyre në parlament, si dhe njëherazi kërkohet hetimi i plotë i zgjedhjeve në respekt të kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Nga foltorja e parlamentit Shefi i Ekzekutivit ndërsa ripërsëriti ftesën e tij drejtuar të zgjedhurve socialistë për të qenë pjesë e punimeve të legjislativit, ritheksoi edhe një herë, qëndrimin e tij për ti dhënë opozitës shumicën dërrmuese në Komisionin Hetimor Parlamentar, sikundër tha z. Berisha, kjo në respekt të plotë të ligjit themeltar të shtetit dhe vendimeve të gjyqësorit.

Sali Berisha: “Presidenti Soares mirëpret vullnetin e mazhorancës dhe opozitës, për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e plotë të zgjedhjeve në respekt të plotë të Kushtetutës së vendit dhe vendimeve të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese. Në Komisionin Hetimor Parlamentar garantoj opozitën, se ne i qëndrojmë premtimit tonë, t’i krijojmë asaj mundësi reale që në çdo votim të jetë shumicë, si dëshmi e një vullneti të hekurt për t’u dhënë përgjigjen më të mirë shqetësimeve të saj, por këtë koncesion në interesin më të mirë të vendit e bën plotësisht maxhoranca jonë, për t’i dhënë opozitës të gjitha garancitë, se do mund të ushtrojë e plotë hetimin e saj natyrisht në respekt të Kushtetutës dhe vendimeve kryesore të Gjykatës Kushtetuese. Më vjen mirë që faktori ndërkombëtar përdor si referencë pikërisht vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndaj të cilës opozita është shprehur besimplotë. Uroj dhe shpreh dëshirën time që kjo deklaratë solide të jetë një dokument frymëzues, në mënyrë që deputetë të opozitës me 4 mars të zënë vendet e tyre në dinjitet të plotë, aty për ku i kanë votuar qytetarët shqiptarë”.

Ndërkohë edhe Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, duke vlerësuar deklaratën e kreut të OSBE-së tha se selia rozë është në një mëndje lidhur me ndërmarrjen e një hetimi të plotë e tërësor të zgjedhjeve, bazuar në kushtetutë dhe vendimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese për hetimin parlamentar.

Edi Rama: “Ne jemi plotësisht dhe tërësisht në një mëndje mesa shkruhet në këtë deklaratë zyrtare. Lidhur me ndërmarrjen e një hetimi të plotë dhe tërësor të zgjedhjeve bazuar në kushtetutën dhe vendimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese për hetim parlamentar. Padyshim zoti Soares nënvizoi edhe bindjen e tij, se opozita duhet të kthehet në kuvend edhe unë i rishpreh edhe publikisht vullnetin tonë për ta mbyllur bojkotin me t’u mbyllur përpjeka e qeverisë për ta kufizuar dhe kushtëzuar Komisionin Hetimor Parlamentar, duke nxjerrë kutitë e votimit nga objekti i hetimit. Fundi i kësaj krize fillon vetëm me transparencën e plotë tërësorë të pakufizuar dhe të pa kushtëzuar të zgjedhjeve, jo për të ndryshuar rezultatin po për të shembur sistemin e korrupsionit elektoral”.

Qëndrimet e dy liderëve politikë në vend vijnë në një kohë kur faktori ndërkombëtar ka shtuar thirrje drejtuar palëve për zgjidhjen sa më parë të ngërçit politik, pasi në të kundërt sipas tyre rriskohen proceset integruese të Shqipërisë në familjen evropiane.

Vetëm një ditë më  parë ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobboio, vendi i të cilit ka presidencën e radhës në BE, ftoi opozitën të jetë në parlament brenda 6 Marsit, sikundër deklarata e sotme e zotit Soares, ku i kërkon të zgjedhurve socialistë të zënë menjëherë vendet e tyre në kuvend, duke i dhënë fund bojkotit./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro