Prestigjiozja Reuters shkruan se ish-kryeministri dhe njëherësh kryedemokrati, Sali Berisha ka humbur këtë të hënë apelimin e tij kundër ndalimit të hyrjes në Britani.

“Sali Berishës, kreut të PD-së, partisë kryesore të opozitës në Shqipëri, i është ndaluar hyrja në Britani të Madhe në vitin 2022 për lidhje të tij të dyshuara me krimin e organizuar dhe korrupsionin, të cilin Berisha e mohon.

Ai apeloi kundër vendimit në Komisionin Special të Apelimit të Emigracionit (SIAC) në Londër në muajin Mars, me argumentin se ai është ndaluar për të hyrë në Mbretëri të Bashkuar në bazë të pretendimeve të rreme të paprovuara”, shkruan “Reuters”.

Më tej, “Reuters” thotë se apelimi i Berishës është hedhur poshtë me një vendim të dhënë me shkrim. Në shkrim, theksohet se kryedemokrati është shpallur “non grata” dhe nga SHBA dhe po ashtu nuk lihet pa u përmendur dhe fakti që Berisha është në arrest shtëpiak për dosjen “Partizani”.

“SIAC hodhi poshtë sfidën e Berishës në një vendim me shkrim të hënën. Vendimi i Britanisë për të ndaluar Berishën nga vendi erdhi 1 vit pasi ai u përjashtua nga Shtetet e Bashkuara pasi dyshohet se për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Berisha, 79 vjeç, përballet me akuza në Shqipëri se ka përdorur ndikimin e tij kur ishte kryeministër midis viteve 2005 dhe 2009 për të favorizuar bashkëshortin e vajzës së tij në privatizimin e tokës shtetërore, të cilat ai dhe vajza e tij e mohojnë”, shkruan “Reuters”.

Kujtojmë se kryetari i PD, Sali Berisha konfirmoi se qeveria e Britanisë së  Madhe e ka shpallur të padëshirueshëm në Mbretërinë e Bashkuar në Korrik të 2022-shit për akuzat se ka lidhje me grupet kriminale si dhe për korrupsion. Akuza këto që u mohuan kategorikisht nga Berisha.

“Jam njoftuar me një letër se Home Secretary ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes sime në Mbretërinë e Bashkuar me arsyetimin

1. Se ju keni lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, dhe

2. Për korrupsion dhe pasurimin tim, dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull përmendet ish këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç.

Në momentin e parë që qeveria e Mbretërinë e Bashkuar, ose çdo qeveri tjetër e huaj apo kushdo do të provojë – jo të gënjejë – një provë dhe fakt korrupsioni, unë do të marr çdo vendim ndaj vetes sime”.

Për vendimin e Britanisë së Madhe, Berisha fajësoi kryeminstrin Edi Rama.

“Ky vendim është në vazhdën e shpifjeve për interesa të të njëjtit grup, që ka sponsorizuar edhe vendimin e Sekretarit Blinken, të bazuar në shpifje dhe lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe multimiliardierit George Soros. Unë kam qenë në dijeni të përpjekjeve të diplomatëve të Departamentit të Shtetit, që partnerët ndërkombëtarë t’i bashkangjiten vendimit të tyre”.

Berisha shprehu bindjen se për vendimin e Britanisë ka patur lobim kundër tij, teksa tha se ishte i gatshëm që ndaj tij të kryhet çdo lloj hetimi për të gjetur qoftë edhe një provë për të vërtetuar akuzat ndaj tij.


/tvklan.al