Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se vendimi i qeverisë për ndalimin e TikTok është një akt ekstrem censure.
Në një video-mesazh, Berisha thotë se Rama vendosi ndalimin e platformës pasi pëlqyeshmëria e tij në mediat sociale ka rënë përtokë sipas sondazheve.
Berisha theksoi në fjalën e tij se në prag të zgjedhjeve, kryeministri nuk toleron dot negativitetet e pasqyruara nga qytetarët në këtë platformë. Kryedemokrati premton se TikTok do të hapet menjëherë pas zgjedhjeve nëse PD vjen në pushtet.
@prof.dr.saliberisha Ndalimi i Tik Tok, akt ekstrem censure! #sb ♬ original sound – Sali Berisha
Reagimi i Berishës
Mirëdita, të dashur miq!
Në një akt ekstrem censure, Edi Rama informoi dje se ka vendosur të bllokojë plotësisht platformën e TikTok-ut. Sipas tij, ishte ky një shkak madhor i vrasjes së nxënësit në shkollë.
Mirëpo, kompania e TikTok informoi se, as i ndjeri Martin, as dhe vrasësi i tij nuk kishin llogari në këtë platformë.
Çfarë del? Kësaj i thonë njëlloj sikur, për të mos patur aksidente, të ndalojmë përdorimin e makinave, apo të ndalojmë përdorimin e rrugëve dhe këto janë absurditete.
E vërteta është se, Edi Rama vendosi ndalimin e platformës së TikTok-ut vetëm e vetëm se, aksionet e tij në mediat sociale kanë rënë përtokë, siç dëshmojnë të gjitha sondazhet.
Së dyti, ai nuk i blen dot këto platforma, siç blen media tjera në Shqipëri.
Dhe së fundmi, jemi në prag të zgjedhjeve dhe nuk toleron dot negativitetet e pasqyruara nga qytetarët në këto platforma.
Duke ju garantuar se, platforma e TikTok-ut do të hapet menjëherë pas zgjedhjeve, ju ftoj të dashur miq, të postoni në llogaritë tuaja të TikTok, por edhe rrjeteve tjera sociale, statuse në mbrojtje të kësaj platforme dhe në dënim të censorit ekstrem, narkodiktatorit Edi Rama./tvklan.al