Ashtu siç kishte deklaruar, Sali Berisha u paraqit në SPAK, teksa jashtë ambienteve e prisnin mbështetës të tij.

Komentet për gazetarët i bëri pasi la ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku qëndroi vetëm pak minuta.

Kryefjalë e akuzave të tij ishin prokurorët e SPAK-ut, që i cilësoi organizatë kriminale, e cila sipas tij fle mbi dosjet e krimit.

“Krimi më i shëmtuar i tyre është përdorimi i dosjeve për të prerë gjoba. Nuk e pyeti Ymer Lalën për vrasjen e denoncuar nga Luftim Reçi, sepse i mori, thonë këta, 1 milion Euro dhe kjo është një gjë e tmerrshme. Altin Dumani është një kryekriminel elektoral sepse ka mbyllur të gjitha dosjet e krimit monstruoz elektoral”.

Ndaj dhe masën e vendosur nga gjykata e sheh si një urdhër për arrestimin e tij.

“Organizata kriminale Skapi i partisë kërkoi nga gjykatësi kukull që Sali Berishës t’i rikthehet arresti në shtëpi, jo se prish provat, jo se kanë asnjë fakt, por sepse ka sulmuar gjykatëset dhe prokurorët”.

Në akuza nuk kurseu askënd, nga ministri i Drejtësisë deri tek kryebashkiaku i Tiranës.

“Gjeta aty Lali Vjedhësin, po rrihej me kolegët sepse ju thërrisni Ajolën këtu dhe nuk thërrisni Lindën që e keni të regjistruar duke ndërhyrë në tenderat e AKSHI-t, regjistrim ambiental. Gjeta aty Ulsin, po zihej me Dumanin aty për çantën Louis Vuitton. Sepse Ulsiu, pasi ka marrë një pagesë të madhe shumë, i kërkon me dokumente çunit të Londrës edhe një çantë Louis Vuitton. I thotë ai për kë e do ti, nuk e them bisedën tjetër se është intimitet familjar”.

Kartolinën e urimit për SPAK-un e kishte mbushur me përgjimet që tha se implikojnë ministrin për Parlamentin, jo vetëm për dosjen e Toyota Auris, por edhe blerje votash në qarkun e Elbasanit.

“Tao përcakton tendera, Tao përcakton vendimet e gjykatave, Tao merr përsipër me listë arrestimet, dhe në kundërpërgjigje, Tao merr garanci për votat”.

SPAK-un e paralajmëroi se nuk ka ndërmend të ndalet, ndërsa masën e dhënë ndaj tij e sheh si motivim për fitore.

“Kjo masë sigurie do më shtojë më shumë votat sepse u faktua kjo”.

Pas gazetarëve, të njëjtat akuza Berisha i ripërsëriti edhe përpara mbështetësve të tij që e prisnin jashtë dyerve të SPAK-ut.

Në procesverbalin e paraqitjes, krahas firmës, Berisha ka bërë edhe një koment ndaj SPAK-ut.

Ai e cilëson vendosjen e masës ndaj tij një akt të turpshëm politik në të cilin ai thotë se “prokuroria në kundërshtim me Kushtetutën kërkon t’i ndalojë fjalën e lirë”, ndërsa gjykatësin e krahason me një kukull të partisë që vendos sipas kërkesave të tyre.

Tv Klan