Partia Demokratike do të prishë aleancat me partitë e vogla të djathta për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Partia më e madhe e opozitës detyrohet të mbajë një qëndrim të tillë për shkak të votimit të kandidaturës së Robert Çekut për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit ku, përjashtuar Partinë Demokratike dhe Partinë Republikane, të gjitha grupet e tjera opozitare e aprovuan dekretin e Presidentit.
Sali Berisha: “Pseudo-opozita apo opozita e furriqeve të Agron Dukës është një nga zhvillimet më të shëmtuara në skenën politike shqiptare dhe unë i garantoj shqiptarët se asgjë nuk do të dobësojë vullnetin e tyre opozitar. Nuk jam unë që i kam futur në furriqet e Dukës janë vetë ata që kanë hyrë. Absolutisht nuk është fare shqetësuese, sepse shqiptarët janë të mençur dhe janë shumë të aftë të dallojnë opozitën nga pseudo-opozita. Natyrisht edhe kjo pseudo -opozitë që bën lojën e saj do të marrë përgjegjësinë që i takon.”
Edhe më parë votime të tjera në parlament kanë lëkundur qëndrimin unik të opozitës siç ishte rasti i vendeve vakante në qeveri ku votuan pro ballistë dhe legalistë. Veprime të tilla të deputetëve të spektrit të djathtë kanë vënë në pikëpyetje koalicionin opozitar. /tvklan.al