Kryetari i PD, Sali Berisha u ka kërkuar degëve të PD jashtë vendit që të organizojnë protesta para ambasadave shqiptare në shtet të ndryshme, pasi sipas tij, janë përfshirë në fushatë elektorale për regjistrimin e diasporës në favor të PS.
Në konferencën për mediat, Berisha akuzoi qeverinë se po bën presion ndaj punonjësve të administratës për të identifikuar dhe regjistruar të afërmit e tyre që jetojnë jashtë vendit.
Sali Berisha, Kryetar i PD: U kërkoj degëve të PD kudo që janë të organizojnë manifestime dhe demonstratat më të rrezikshme para narkoambasadave të narkorepublikës së Shqipërisë. Kudo, në çdo shtet, të mobilizojnë gjithë forcën e tyre, të përdorin vezë dhe domate kundër selive dhe punonjësve të ambasadave të implikuar në veprimtari kriminale elektorale.
Iu rikthye akuzave ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Sali Berisha, Kryetar i PD: Kontrollet që u bënë në Harabal, por ishte edhe një lokacion tjetër, si të themi Harabeli bis. Informova publikun se janë gjetur 230 mijë, natyrisht e ndryshoj shifrën që të mbroj sadopak burimin, por janë gjetur 220 mijë euro, por janë gjetur thasë me fatura 200 mijë, 300 mijë, 400 mijë, që vetëm Velica dhe Lalë Vjedhësi e dinë se çfarë janë ato.
Kryedemokrati foli dhe për sigurinë në shkolla, duke thënë se institucionet kanë dështuar, ndërsa autoritete po fshehin ngjarje të rënda që ndodhin në institucionet arsimore.
Sali Berisha, Kryetar i PD: Kanë futur krimin dhe drogën në shkolla narkoshteti. Dënoj me ashpërsinë më të madhe qëndrimin indiferent dhe fshehjen e këtyre akteve nga Ministria e Arsimit, Policia e Shtetit dhe qeveria.
Tregohet i rezervuar për skenarët e protestës së 23 Dhjetorit.
Sali Berisha, Kryetar i PD: Do komunikohet sapo të finalizohet. Do jetë një skenar shumë i ngjeshur dhe i fortë.
Teksa akuzoi se qeveria do të përdorë bandat për të blerë vota në zgjedhjet e ardhshme, u zotua se PD do të nis mobilizimin e saj për mbrojtjen e votës.
Klan News