Më shumë sesa një keqardhje për bashkëpunëtorin e tij ndër vite, Sali Berisha tha se pas deklaratave të Edi Ramës për Erion Veliajn pa një kryeministër të terrorizuar nga aferat e tij korruptive.
“Nga njëra anë i terrorizuar dhe i trembur gjer në palcë nga Erion Veliaj, të tregojë se nuk ka gisht në këtë aferë. Nuk kishte hallin e Erion Velisë, kishte hallin e tij, sepse për leje ndërtimi Edi Rama me favore i ka tërkuzë. Atë Ujkën që i pagoi takimin në Milano. Leje e kulla ai. Merrni ju sponsorin, 12 udhëtime me charter që i denoncoi Arben Ahmetaj. Leje ndërtimi të gjitha”, tha Berisha.
Kryedemokrati shkoi edhe më tej ku tha se Rama qëndron pas bllokimit të hetimit për aferën e inceneratorëve dhe arsyeja sipas Berishës janë familjarët e kreut të qeverisë.
“Erion Velisë nuk i hyri gjembi në këmbë. Nuk u formua asnjë hetim, asnjë akuzë për këtë. Pse nuk u arrestua për djegësin 130 milionë euro që nuk ekziston. Unë e kuptoj që 1 milionë euro fustane të brendshme e të jashtme të Velicës janë abuzim shumë i madh, por zhdukja e 130 milionë është 130 herë më i madh. Pse nuk ndodhi? Se është Edi Rama. Aty hetimi u bllokua vetëm për shkak të Edi Ramës”, tha Berisha.
Diskurin e kryeministrit për SPAK-un e cilësoi standard të dyfishtë.
“Këtej u lavdërua me arrestimin e tij, këtej u përpoq të hiqej duarjashtë në mënyrë që Erion Veliaj të mos i kthehet me këto gjëra”.
Berisha foli për rivalitet mes Ramës e Veliajt, duke mos kursyer epitetet ndaj tyre.
“Do u kujtohej edhe derrkuci i Erion Velisë që i thoshte gazetares, ja e mbaj një derrkuc dhe i fus e na tepron e kur bëhen shumë bëjmë një udhëtim. Gjynaqari. Erion Veliaj ishte një hajdut, por abuzime shumë më të mëdha janë të Edi Ramës. Rama e di që gardëroba e Lindës mund të jetë edhe më problematike se aq. Midis Kodrës së Diellit dhe kodrës së Surrelit, rivaliteti ishte shumë i qartë, në të gjitha, në lukse, në çdo gjë”.
Ndaj dhe Kryeministrin e paralajmëroi për nisjen e protestave, duke i përsëritur kërkesën e kahershme.
“Jep menjëherë dorëheqjen, një popull i tërë ngrihet menjëherë në këmbë për ta përzënë nga zyra një padrino si ky”.
Dhe për të shuar çdo dyshim se arrestimi i Veliajt është inskenim për të zhbërë reformën në drejtësi, Berisha dha këtë përgjigje.
Jo vetëm Rama e Veliaj, por edhe Kryetarja e Komisionit të ligjeve Klotilda Bushka ishte pjesë e akuzave të Berishës.
“Erion Veliaj shembte shtëpi se u thoshte janë prona të Klotilda Duçkës. Ajo është një kriminele më shumë se ai”.
Berisha e ftoi kryeministrin që mesazhet e Chris LaCivita-s t’i shohë si politike dhe jo si qëndrime të një konsulenti, teksa komentoi shpërthimin e Edi Ramës gjatë komunikimit virtual.
“Kur i erdhi në gojë fjala e konsulentit që këtej e quante punëtor i Trump-it shkallmoi, e humbi dhe iu kthye me grushte tavolinës. E vetmja gjë që thashë në atë moment, shyqyr zotit pranë tij nuk ka ndonjë grua të hajë grushtat e tij”.
Ndërsa nga mbledhja e kryesisë ku pritet miratimi i rregullores për primaret, Berisha tha se çdo kandidat për deputet duhet të regjistrojë 300 emigrantë.
Tv Klan