Edhe ish-Kryeministri Sali Berisha e ka komentuar dorëheqjen e Fatmir Xhafajt, nga posti i Ministrit të Brendshëm. Në një postim në rrjetet sociale, Berisha shkruan se Kryeministri Edi Rama e shiti Fatmir Xhafën për të shpëtuar kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon.

Berisha thotë gjithashtu se largimi i Xhafajt vjen pas një beteje të furishme të opozitës shqiptare, që ia doli t’i japë një goditje të merituar familjes mafioze Xhafaj.

“Edvini, kreu i meduzës, mafies shtetërore më të rrezikshme të Europës, shiti Xhafën për të shpëtuar Gjushin dhe lëkurën e tij! Të dashur miq, pas një beteje të furishme, opozita shqiptare ia doli t’i japë një goditje të merituar familjes mafioze Xhafaj, Agron/Geroni në burg dhe aty e ka vendin Fatzi Xhafa, njeru që futi në polici të gjitha metodat e punës të mafies së policisë sekrete hoxhiste për të mbrojtur lëkurën dhe karrigen e tij. 

Në një aspekt opozita ia doli”.

Berisha thotë se ky ishte një moment kritik për Ramën, ndaj dhe e sakrifikoi Xhafën dhe vendosi në krye të ministrisë një vasal të tij.

“Por shtylla kryesore e botës së mafies, krimit të organizuar, korrupsionit, kreu i meduzës në Shqipëri është Edvin Kristaq Rama, i cili në një moment kritik për veten e tij sakrifikoi Xhafën për Gjushin dhe vendosi në krye të ministrisë një vasal të tij.

Kakistokracia e Shqipërisë është në agoni. Asgjë, asnjë vasal as dhe patericë nuk shpëton Noriegën nga verdikti i afërt i revoltës popullore”

./tvklan.al